
29/07/2022. 11:08
Nga,Ragip Gjoshi
1.
Lamtumirë atdhe në trastë morëm mallin për ty
Lamtumirë atdhe në trastë morëm historinë
U përshëndetëm përmalleshim me oxhakun e shtëpisë
Pranë djepit të boshatisur në konakun ku rritëm shtatin
Pas mbeti tmerr e errësirë shtigjeve të shpresës
Luftë e flakë,qëndresë,vrasje, djegje, eksod i rrallë
Mbi tokën tonë ndërrohej jeta me liri
Kush kushtrimin e atdheut kishte dëgjuar
Mbi bjeshkët e shqiponjave me gjakun ilir
Se gërshërët e krajlive i turrëshin Hartës sonë…
Në një sfond Trimat gatuani agimin e djalërisë
Me tytëskuqurat e tyre hapnin portën e lavdisë
Kreshnikut-çunakët këmbëzbathur e zemërmbushur
Në sfondin tjetër degëdisjet e Orëve të trishta
Kur mbi kokë po i rrinte sopatë e madhe dheut tim
Kur ofshet e nënave prapa brezit tim i vinin
Udhëve të botës – me dronë ku do të plakemi
Apo mbi flokët e bardha do të rritet harrimi…
Por kudo vajtëm përreth globit
Edhe përtej bjeshkësh e oqeanesh
Në asnjë Pazar nuk gjetëm fjalë shqipe
As për kujtim për të blerë një
Veç shqiptarë gjetëm dhe lot në sytë e trye
2.
Mërgimi-ëndërr e trishtë e shpresë e hidhur
Mërgimi-plagë e rëndë dhe pa shërim
Ndër shekuj të ndarë e të tretur
Me zemër të thyer në mërgim
Kudo -në lindje e perëndim
Pranë oxhakut veç nënë e babë kem lenë
Dhe do djepa, të thatë e pa ninula
Tri hise të jetës pelim-veç një gëzim mbet
Larg atdheut duke vrapuar pas jetës
Rrufetë goditën fjalën shqipe
Larg nga trualli i të parëve
Me plot mall e kerkuam në çdo pazar
Nuk gjetëm as fjalë shqipe as porçar
Ikëm përtej shtatë bjeshkësh
Nga hallet-jo veç për bukën e gojës
Se Dielli ynë nxente me naze
Se hisen tonë na e kishin rrëmbyer
Shtegtar në vend të huaj me shumë re mbi qiell
Me mallë të nënës e të rrasës së varrit të babIt
Me mallin e bukës së kallamoqit
Me trastën e mërgimit mbi kurriz
Duke u përplasë pa ngrohtësinë e atdheut
Veç shqiptarë gjeta dhe lot në sytë e trye
Askund fjalë shqipe as poçar
Veç dimër kudo para syve na dolën
Verën e kemi lënë peng në atdhe
Atje kem lënë edhe buzëqeshjen
Shtatë lëkura na kanë rënë përherë
Pa parë me sy hisen tonë të diellit
Veç dimër qenkan bërë stinët
U degëdisëm jo veç për bukën e gojës
Por edhe nga hallet e shekujve q pambarim
Ne shtegtarët qe për çdo vjet kthehemi
Me plot mall për çerdhen e të parëve
Ku në atdhe veç nëna në gjuhën e saj ngrohtë na pret
Mirëserdhe biri im- shqip na thotë…
3.
Dikush në kampin e refugjatëve në Bllacë
Në ditët përvëluese kur babai në front lufte ishte
Kolonat dëshpëruese të orëve të shpresls së atdheut
Me pak bukë e pak ujë në çdo çadër
Nën vështrimin e rreptë të ushtarit të huaj
Për një gllënkë ujë përvëlohej foshnja
Babai në front me trimëri përballë hasmit të trojeve
Shënjestronte shekullin n’shejtni-që të vije në i ri
Dikur unë pyesja vetëveten se kush zbuloi kurbetin
Më thane se ndoshta vetë shqiptari
Se nuk ka dhe, shtet as qytet pa shqiptarë
Dhuna e skamja përreth globit I ka shpërndarë`…
Kudo-në çdo skaj të botës
Dikur në këmbë tren apo target
Tash me aeroplan u tretën në të ziun mërgim
Vaji i fëmijëve mallkonte rrugët e ikjeve
Të mbështjellor në lulakun e përgjakur
Këmbëzbathur me tëmblin e nënës në buzë
Ndër istikame babai në flakën e luftës
Me dritën e lirisë të mbjellë në zemër
Për bijtë e shqipes të mbetur në atdhe,
Që të kthehen në shtëpi- ballë oxhakut të gjyshit
Babai im bie në front i mbështjellë me lavdi
U bë përmendore e lirisë,lavdisë e krenarisë…
Ku jeni mërgimtarë, nëpër Europë dhe Amerikë…
Edhe kur mallkon e psheretinë, thuaj- Jam shqiptar!
Edhe kur shanë edhe kur dashuron çdoherë
Fol shqip se fjala shqipe nuk blihet në asnjë Pazar…
Kthehuni,rrini këtu
Askund dielli shqip nuk ngrohë
Askund fjalë shqipe s’blihet në pazar…!