News That Matters

Fillon qarkullimi i lirë në veri nën mbikëqyrjen e KFOR-it

02/10/2021 16:11
Jarinja e Bërnjaku janë zhbllokuar, ndërkaq ka nisur edhe qarkullimi i lirë i automjeteve.

Pas 13 ditësh në krye të detyrës, pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës do të kthehen nëpër shtëpitë e tyre, duke i lënë në dorë situatën në veri të Kosovës forcave të KFOR-it.

Tetë orë ishte koha që u caktua sipas marrëveshjes brenda së cilës serbët që po mbanin të bllokuar rrugët për Jarinjë e Bërnjak të largoheshin, paralelisht me Njësinë Speciale që po përkujdesej për sigurinë atje.

Ushtarët e KFOR-it tashmë kanë marrë nën kontroll situatën në veri, teksa serbët kanë larguar barrikadat që kanë vendosur 13 ditë më parë.

Pak kohë pas Jarinjës, edhe rruga që çon në Bërnjak u zhbllokua.

Gjatë këtyre ditëve nuk ishte raportuar për asnjë incident të ndodhur, pavarësisht se serbët që kishin vendosur barrikadat në këtë zonë me ditë të tëra kishin provokuar në mënyrë të ndryshme pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Por, disa ditë pas vendosjes së masës së reciprocitetit dhe vendosjes së barrikadave në rrugën e këtyre pikave kufitare në Zubin Potok e Zveçan kishte pasur sulme ndaj Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve.

Policia e Kosovës më 26 shtator kishte dhënë detaje rreth shpërthimeve që ndodhën në Qendrën e Regjistrimit në Zveçan dhe zyrën e komunës në Zubin Potok.

Policia thotë se në Zveçan rreth orës 08:45 persona të panjohur kanë thyer xhamin e zyrës për regjistrim dhe kanë hedhur dy granata dore.

“Njësia për deminim ka dal dhe ka bërë asgjësimin e mjeteve të pa shpërthyera në mënyrë të kontrolluar. Njësit përkatëse policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raport.

Kurse lidhur me rastin në Zubin Potok, policia ka njoftuar se në rrethana të panjohura në zjarr është përfshirë zyra e Komunës së Zubin Potokut. Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin.

div.meta-author { display:none; }