
Këtë javë “Minatori” e Mitrovica ishin qendër e rëndësishme e basketbollit evropian. Me plot sukses u organizua turneu kualifikues i Grupit A të FIBA Europe Cup.
Në finalen e luajtur të premten mbrëma u takuan Sportingu portugez dhe Antwerpi belg. Finalen e fitoi Sportingu, por dy ekipet avancuan në fazën grupore.
Trepça u ndal në ndeshjen e parë, por kjo nuk nënkupton se turneu ishte i pasuksesshëm. Përkundrazi. Turneu ishte plotësisht i suksesshëm, ndonëse na mungoi suksesi i synuar sportiv.
Drejtuesit e skuadrave pjesëmarrëse nga Gjermania, Portugalia, Belgjika, Islanda e Qipro, janë larguar me përshtypjet më të mira dhe fjalët më të ngrohta sa i takon organizimit dhe pritjes.
Në ndeshjen e Trepçës, TORCIDA ka dhënë shembull të tifozllëkut dhe për këtë klubi e falenderon nga zemra, transmeton Mitropol. Klubi falenderon edhe sponzorët e klubit, FBK-në dhe gjithë qytetarët mitrovicas. Bashkë çdo gjë është e mundur. Këtë e dëshmuam edhe në skenën evropiane.