
08/10/2021 17:24
Ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, do të fillojnë gërmimet për varreza masive në disa lokacione të ndryshme në Kosovë.
Gërmimet tashmë kanë filluar në fshatin Dreth (Dren) të Zubin Potokut, më 26 gusht, mirëpo ekipet ende nuk kanë gjetur asgjë.
Po ashtu, gërmime në kërkim të varrezave masive pritet të fillojnë edhe në Koshare, në Prizren, Suharekë dhe në Podujevë.
Sipas Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, fillimin e gërmimeve në Koshare e ka kërkuar Serbia.
Në këtë vend, në Komunën e Gjakovës, gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitin 1999, ishte zhvilluar Beteja e Koshares, ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë së Serbisë.
Edhe gërmimet në fshatin Dreth, po ashtu janë bërë me kërkesë të Serbisë.
Gërmimet e reja shpresë për familjarët e të zhdukurve
Më 24 mars të vitit 1999, në hyrje të fshatit Obranqë në Komunën e Podujevës, ishin masakruar 7 persona.
Në mesin e të vrarëve dyshohet të jetë edhe babai i Avdi Maqastenës, Qazim Maqastena nga fshati Katunishtë i kësaj komune.
Ai tregon për Radion Evropa e Lirë, se eshtrat e babait të tij i kishin varrosur me të mbaruar lufta.
Mirëpo, asnjëherë nuk u vërtetua se eshtrat ishin të babait të tij dhe u zhvarrosën përsëri.
“I kemi gjetur eshtrat menjëherë pas luftës, sepse e dinim vendin sipas dëshmitarëve ku i kanë masakruar, ku i kanë mbytë. I kemi marrë dhe i kemi varrosur ato. Kanë ardhur këta të morgut i kanë marrë dhe ato eshtra nuk na i kanë kthyer më kurrë”, tha Maqastena