
15/06/2022. 18:33
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhat Çuni” në Mitrovicë është bërë rregullimi i ashensorit, i cili për një kohë të gjatë ka qenë me defekt dhe jashtë funksionit.
Sipas Drejtorisë për Shëndetësi mungesa e funksionimit deri më tani të ashensorit e ka vështirësuar qasjen e pacientëve për marrjen e shërbimeve shëndetësore në katet e sipërme të QKMF-së, veçanërisht personave të moshuar dhe atyre me nevoja të veçanta.
Riparimi i ashensorit është realizuar me mjetet e buxhetit komunal për shëndetësi dhe përveç riparimit dhe rifunksionalizimit është siguruar edhe mirëmbajtja teknike e tij.
Po ashtu përveç kësaj, Drejtoria për Shëndetësi është duke punuar në një projekt të përbashkët me Drejtorinë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë për rregullimin e pjerrinave në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe Ambulancat e Mjekësisë Familjare, me qëllim të krijimit të qasjes më të lehtë të personave me nevoja të veçanta.
Drejtori për Shëndetësi, Fahri Shabani, ka potencuar se stafi i tij, menaxhmenti i QKMF-së dhe të gjithë punëtorët shëndetësorë të Kujdesit Parësor Shëndetësor të Komunës së Mitrovicës mbeten të përkushtuar që përpos ngritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore, të mundësojnë edhe qasje të lehtë në institucione shëndetësore për të gjithë qytetarët që i shfrytëzojnë këto shërbime.