
16/06/2022 21:06
Dy ditë më parë, u konfirmua se “Sunny Hill” dështon të mbahet në Prishtinë.
Ky festival është zhvendosur për në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.
Kjo e gjitha pas disa mosmarrëveshjeve që kishin për dhënien e pronës në Bërnicë.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në një intervistë dhënë së fundmi për Top Channel tha që Tirana do të përfitojë deri në 50 milionë euro në ditë nga “Sunny Hill”.
“Tirana prodhon zyrtarisht 20 milionë euro ekonomi në ditë dhe kur ka ndeshje si UEFA kjo dyfishohet, ne presim që ato 20 milionë euro që ekonomia e Tiranës i gjeneron në një ditë normale, t’i dyfishojë ato ditë, kështu që unë parashikoj që ne do të kemi një injeksion ekonomik, kur mendoj vaktet, hotelet, taksitë, sigurimi, higjinenën, kateringun, pra është një zinxhir ekonomik që punon, patjetër rreth 40-50 milionë euro shtesë në Tiranë”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës më tej ka zbuluar edhe lokacionin se ku do të mbahet festivali, që duket të jetë Parku i Liqenit.
“E kemi marrë vendimin final, do të jetë hapësira e Liqenit, fushat përreth Liqenit të Tiranës. Do të jenë tri skena të ndryshme. Një skenë le të themi skena qendrore, që do të jetë një paradite dhe skena vonë në mëngjes. Kështu që do të duhet që të gjithë të bashkëpunojmë, na duhet pak punë logjistike. Është çështje fokusi, disipline, aftësi menaxheriale për të organizuar grupe të mëdha”, vazhdon ai.
Festivali do të mbahet për katër ditë rresht në fillim të muajit gusht.