News That Matters

Erdogan nis vizitën në Shqipëri, ndalesa e parë në Laç

17/01/2022 12:38

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, mbërriti në Shqipëri për një vizitë zyrtare disaorëshe. Ai u prit me ceremoni zyrtare nga kryeministri Rama dhe një delegacion me disa ministra të kabinetit.

Ndalesën e parë, Erdogani do ta ketë në Laç, ku do t’u dorëzojë vetë banorëve të qytetit çelësat e shtëpive të reja të ndërtuara si dhuratë nga qeveria turke, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Presidenti turk do të vizitojë edhe një familje në qytet. Pas ceremonisë së dorëzimit të shtëpive, është parashikuar edhe një ceremoni e emërtimit të sheshit në Laç me emrin e Presidentit të Republikës së Turqisë.

Dita e Erdogan në Shqipëri vijon me një takim mes presidentit Erdogan dhe kryeministrit Rama, ndërsa në orën 15:00, pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve mes dy palëve është parashikuar edhe një konferencë për mediat.

Në orën 16:00, do të mbahet edhe ceremonia e inaugurimit të xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë, të restauruar së fundmi, ndërsa në orën 17:00, Erdogan do të mbajë një fjalim përshëndetës në Kuvendin e Shqipërisë.

Vizita e presidentit turk në Shqipëri është shoqëruar me masa të forta sigurie, ku qindra efektivë policie do të jenë në terren, me uniformë apo civilë, ndërsa kanë mbërritur tashmë në Tiranë edhe pjesëtarë të gardës presidenciale turke. /A2news/

div.meta-author { display:none; }