News That Matters

EQREM VLORA: KUJTIME PËR IDRIZ SEFERIN

03/12/2021 22:20
*Nga Agim Morina
“Më 10, 12, 14 maj 1910 u zhvilluan përsëri luftime të përgjakshme. Qindra shqiptarë ranë në këto luftime, e midis tyre edhe dy prijës shumë të dashur nga Karadaku — Rexho Fetahu dhe Idriz Seferi. Ky i fundit ishte bajraktari më i rëndësishëm i zonës së Karadakut dhe njëra nga figurat më interesante dhe më popullore të lëvizjes së shqiptarëve për pavarësi dhe të luftërave që u bënë në këto kohë të ashpra. Një burrë i çiltër, trim, shakatar i fortë, mikpritës, fisnik, plot besinkëri të pashoqe. Ai mishëronte në mënyrë të përkryer jo vetëm krenarinë e trashëguar të prijësit të fisit, bajraktarit, por edhe të gjitha virtytet tradicionale të njeriut të popullit.
Kam qenë mysafir i tij në vitin 1909 dhe e kam parë se sa ndershmërisht përpiqej ai ta përshtaste botëkuptimin e vet me kërkesat e Perandorisë dhe me domosdoshmëritë e kohës, edhe pse vetë ai ishte një ithtar besnik i Sulltanit të rrëzuar. Pa asnjë por një atdhetar shqiptar i flaktë ai donte që vendi i tij i vogël të kishte të drejtën e pakushtëzuar të jetonte siç kishin jetuar të parët e vet dhe luftonte kundër synimeve çentralizuese të Turqve të rinj. Ai ishte një hallkë lidhëse midis kohëve të vjetra, kalorësiake të Shqipërisë dhe të sotmes, në të cilën ai donte të ruante nga e kaluara gjithë ato që atij i dukeshin të domosdoshme për nderin e shtëpisë dhe të fisit të tij.
Pas betejave të lartpërmendura trupat turke hynë në çdo skutë të Kosovës dhe u përpoqën të mblidhnin sa më shumë armë që mundnin. Në zonën e Prishtinës, deri në fund të qershorit 1910, u mblodhën rreth 23.000 pushkë, në atë të Mitrovicës 15.000, në Kosovën Perëndimore 8.000. Në malësi (Karadak, Drenicë, Rugovë, Krumë, Has—Krasniq) dorëzimi i armëve u bë vetëm në ato shtëpi, kulla dhe katunde që ishin rrethuar drejtpërdrejt nga trupat turke — askush nuk i bindej urdhërit vullnetarisht. Mizoritë e kryera gjatë operacionit, sipas pohimeve të deputetëve shqiptarë në parlament, keqtrajtimet, sidomos ndaj grave, në sfondin e zemërimit të përgjithshëm, ishin mbase dhe të tepruara, por megjithatë, nuk është i drejtë edhe mohimi i çdo ngjarjeje të hidhur.
(Eqrem Vlora, “Kujtime”)

div.meta-author { display:none; }