News That Matters

Drejtori i Shëndetësisë Fahri Shabani takoi drejtuesit e institucioneve shëndetësore në Komunën e Mitrovicës

Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Dr. Fahri Shabani ka mbajtur takim me drejtuesit e institucioneve shëndetësore në Komunën e Mitrovicës, drejtoreshën e Spitalit të Përgjithshëm, “Dr. Sami Haxhibeqiri”, Dr. Luljeta Zhubi, kryeshefen e Mjekësisë Familjare të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhat Çuni”, Dr. Sanie Klinaku, drejtoreshën e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, Dr. Teuta Fejza, si dhe përfaqësuesen e Qendrës Rajonale të Shëndetit Mendor në Mitrovicë znj. Shemsie Zeqiri.

Në këtë takim u diskutua lidhur me gjendjen emergjente, e cila është krijuar si pasojë e vërshimeve, koordinimin e punës për tejkalimin e kësaj gjendje dhe ngritjen e nivelit të gatishmërisë, vigjilencës dhe ndërveprimit institucional për periudhën në vazhdim.

Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, z. Fahri Shabani, pasi i njoftoj të pranishmit me situatën emergjente dhe pasojat e saj në Mitrovicë, falënderoi të gjitha institucionet shëndetësore të Mitrovicës për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar në këtë situatë të jashtëzakonshme, për bashkëpunimin e mirë dhe aktivizimin e menjëhershëm të personelit shëndetësor për përballimin me sukses të situatës së krijuar.

Po ashtu z. Shabani njoftoi të pranishmit se janë dakorduar me drejtorin e KRU Mitrovica, që institucionet shëndetësore të furnizohen me ujë përmes autoboteve dhe sipas prioriteteve kjo do të filloj qysh sot me Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri”, e pastaj edhe me institucionet tjera.

Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm, znj. Zhubi, theksoi se Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” ka ngritur nivelin e gatishmërisë dhe i gjithë personeli shëndetësor dhe teknik paraqiti sfidat shtesë që i janë paraqitur këtij institucioni në punën e tij siç janë; mungesa e ujit, si dhe hapësirat ku funksionon Reparti i Pediatrisë.

Ndërkaq, kryeshefja e Mjekësisë Familjare në QKMF, znj. Sanie Klinaku njoftoi të pranishmit që menjëherë pas krijimit të gjendjes emergjente, përveç Sektorit të Mjekimit Urgjent në QKMF janë hapur edhe Qendrat e Mjekësisë Familjare në Iliridë, Zhabar, Bajr 1, Shupkovc dhe Vaganicë, në mënyrë që qytetarët të cilëve iu pamundësua qasja në QKMF, shërbimet shëndetësore të mund ti marrin në lagjet e tyre.

Më tutje, drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, znj. Fejza, tha se QRSHP –ja po e përcjell më vëmendje situatën epidemiologjike, e cila për momentin është e mirë, por mungesa e furnizimit me ujë na obligon që të jemi të kujdesshëm në vlerësimin e situatës dhe raportimin nga ana e profesionistëve shëndetësorë të të gjitha institucioneve.

Përfaqësuesja e Shëndetit Mendor, znj. Zeqiri shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe koordinim të gjitha punëve.

Në fund të takimit të gjithë drejtuesit e institucioneve shëndetësore të Mitrovicës u dakorduan që bashkëpunimi i mirë ndërinstitucional të vazhdojë dhe të fuqizohet, sidomos në situatat emergjente, sikur kjo aktualja.

Po ashtu bëjnë apel tek qytetarët që të kenë kujdes në përdorimin e ujit të pijshëm të cilin duhet vluar para përdorimit dhe kjo të vazhdojë edhe pas fillimit të furnizimit nga ana e ujësjellësit.

div.meta-author { display:none; }