News That Matters

“Do ta ndërtojmë së bashku”- Rama prezanton krah Abazoviç projektin e urës mbi Bunë

09/06/2022. 17:54

Kryeministri Edi Rama, ka prezantuar së bashku me homologun e Malit të Zi Dritan Abazoviç, projektin e ndërtimit të urës mbi lumin Bunë në zonën kufitare mes Ulqinit dhe Velipojës.

Kryeministri Rama e cilësoi ndërtimin e kësaj vepre infrastrukturore si një simbol të bukur të vizionit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Së pari e mbi të gjitha jemi këtu për të ndarë ju projektin e ndërtimit të urës mbi lumin Bunë në zonën kufitare mes Velipojës dhe Ulqinit. Tashmë ajo do të zhvillohet si projekt i detajuar dhe së bashku do ta ndërtojmë”, tha Rama

Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit tha se ura do të shkurtojë një distancë shumë të madhe dhe do të ketë një gjatësi prej 310 metra. Kostoja është vlerësuar të jetë 9 milion euro.

Kryeministri Rama sqaroi se në gusht përfundon projekti i detajuar, ndërsa theksoi se kjo është fryma e “Ballkanit të Hapur”.

“Ky është projekti dhe në fund do të përfundojë i detajuar. Pas projektit të detajuar do të ulemi sëbashku menjëherë. E kam fjalën Fondi Shqiptar i Zhvillimit me agjencinë tuaj. Kjo është fryma e Ballkanit të Hapur. Pres me padurim të vij t’ju vizitoj në Malin e Zi me shpresë brenda korrikut dhe në gusht për t’ju dorëzuar projektin”, tha Rama.

Ndërkaq, kryeministri malazez Dritan Abazoviç u shpreh i lumtur për projektin. Sipas tij ndërtimi i kësaj ure do të sjellë zhvillim për të dy qytetet në dy anët e Bunës.

“Jam shumë i lumtur për këtë projekt. E kemi diskutuar në Tiranë verën e kaluar dhe tani jemi shumë pranë fillimit të punës konkrete. Kjo zonë mund të jetë një zonë shumë tërheqëse turistike në të ardhmen. Do të jetë njësoj për turistët siç shkojmë ne në pjesë të tjera të Evropës. Kjo do ta lehtësojë shumë qasjen e turistëve. Kjo është mënyra sesi ne mund ta zgjidhim problemin e trafikut pranë Shkodrës. Do të jetë shumë mirë.

E thjeshtë. Është shumë irracionale që dikush nuk e ka bërë më parë. me këtë urë do të kemi shumë efekte pozitive në të dyja anët dhe ndërlidhshmëria midis dy vendeve të jetë e madhe. Ura dëshmon që nuk jemi vetëm Ballkan i Hapur, por në një fazë e re. Kjo është një urë që do të përdoret nga shumë njerëz që do të vizitojnë dy vendet tona”, u shpreh Abazoviç.

div.meta-author { display:none; }