News That Matters

Ditelindja e Sami Frashërit

02/06/2022. 09:18
Më 1952, në 102 vjetorin e lindjes së Sami Frashërit, personalitet i shquar i Rilindjes sonë Kombëtare, Rexhep Mitrovica pati bërë një shkrim të gjatë, të cilin sot, më 1 qershor. me rastin e 172-vjetorit të lindjes, po e publikoj për t’ua bërë të njohur lexuesve të nderuar.

SAMI FRASHËRI

(Shkrim biobrafik i Rexhep Mitrovicës për Sami Frashërin, botuar në gazetën “Flamuri”, nr. 23-24, 1951, 25-26, 1952 dhe 31-36 1952). Marrë nga libri “Rexhep Mitrovica në Lëvizjan Kombëtare”, Libri Shkollor, Prishtinë, 2008 (f. 622-646) të autorit Fazli Hajrizi

Në vitin 1850 të parën ditë të Qershorit, nji ditë të Mërkurë leu Samiu në fshatin e Frashërit, që asht qendra e komunës së Dangëllisë, në nënprefekturën e Permetit . Në atë kohë Permeti lidhej në prefekturën e Gjinokastrës dhe kjo mvarej nga vilajeti i Janinës.
I ati i tij, Haliti, ishte Beu i Timarit të Frashërit . Gjithashtu, gjyshi i tij, Durmish Beu, ishte nga Frashëri, kurse zoja Emine, e ama e Samiut, zbret nga breznit e Koxha Emrahorit .
Kur vdes Halit Beu në Frashër, më 1861, len shtatë fëmij, nji vajzë dhe gjashtë meshkuj. Samiu asht i katërti i djemve, kurse Abdyli asht ma i madhi i vllazënvet .

Shkolla dhe karriera e Sami Frashërit

Samiu këndimin dhe shkrimin i nxu në Frashër nga nji mik i t’et. Qysh në fëmini dëfteu nji prirje plot andje për mësim. Instikti dhe mendja e tij pjellore e bajnë qi t’a kalojë kohën gjithnji me këndim e shkrim.
Mbas vdekjes së Halit Beut, Abdyli ngarkohet me detyrimet e plakut të shtëpis. Prandaj, kur të vegjëlit kryejnë studimet fillestare në fshat, aji i merr e i çon në Janinë (1861) për t’u sigurue mësimet e mesme. Samiu i vogël atëherë nuk ishte veçse 11 vjeç. Në Janinë, bashkë me vëllain ma të madh, Naimin, për nji kohë, merr mësime arabisht e persisht nga myderrizët famëmëdhenj të Medresës së vendit, mandej regjistrohen në gjimnazin grek “Zosimeon”.
Zelli dhe kujdesimi i Samiut bajnë qi të tetë rendet e kësaj shkolle t’i kryjë për shtatë vjet. Në këtë shkollë aji mori njoftimet e para të kulturës tue nxanë greqishten e vjetër, frëngjishten, italishten dhe shkencat e ndryshme, të cilat i plotësoi dhe i perfeksionoi me studime personale qi nuk pranë veçse mbas vdekjes së tij.
Kur merr dipllomën nga kjo shkollë greke, Samiu asht 21 vjeç (1871). Herën e parë hyn si nëpunës në sekretariatin e vilajetit të Janinës. Por mbas njij kohe të shkurtën, shkon e vendoset në Stamboll, ku emnohet në zyrën e Shtypit (1872). Në krye të kësaj detyre qëndron tre vjet.
Ma vonë, më 1877, asht në Rodos, si Myhyrdar i Sava Pashës, valiut t’ishujvet të detit të Bardhë. Por, mbas nji shërbimi pesë muajsh, jep dorëheqjen dhe, me pretekst pushimi, shkon nhë Janinë. Aty, në kohën e luftës, për nji kohë të shkurtën, ban detyrën e kryesekretarit të njij komisioni që ishte formue nën kryesin e Abedin Pashës për ekspedita ushtarake. Në fund, në vjetin 1881, asht prap në Stamboll, ku thërritet në nji nga dy sekretaritë e njij komisioni të naltë që ishte formue në pallatin mbretnuer për inspektim ushtarak. Në këtë detyrë qëndroi deri në vjetin 1893. Mbas kësaj date, gradohet e bahet kryesekretar në të njëjtin komision. Këtë nëpunësi që ishte sa për emën, aji e ruejti për 17 vjet rresht.
Në vjetin 1884, kur Samiu asht 34 vjeç dhe martohet me zonjushën Emine Velije nga Ederneja, të bijën e Sadettin Efendiut, Kaziaskerit të atij vendi, fillojnë edhe gradimet e dekoracionet. Kështu, më 1884, Samiu i ynë merr gradën “Sani Senefi sanie” që u ipet në ushtri kolonelëve dhe ndër civila boilervet, bashkë me medaljen “Osmanie” që vehet në qafë. Ma vonë, si shpërblim për botimin e fjalorit frëngjisht “Kamusi Fransevi”, tue e kapërcye rendin e zakonshëm iu dha menjëherë grada “Ula Sanisi”, që i përgjigjej gradës “Pashë”, bashkë me medaljen “Iftihar”, e cila vehet në parzëm e u ipet dijetarëve. Më 1887 merr medaljen “Mexhidija”, e cila u ipet atyne që gëzojnë medaljen “Osmanie”. Më 1895 mbyllet vargu i gradave me atë “Ula Evveli” që në ushtri e marrin gjeneralët e Divizionit.

Sulltani dhe Sami Frashëri

Lexuesi, tue i pamë të gjitha këto grada të nalta, këto medalje xhixhilluese dhe, si konsekuencë, rrobe të qindisuna me argjent, por që s’kanë kurrfarë shpërblimi material, pa dyshim, po të ketë formue menjiherë bindjen se Sami Frashëri ishte në marrëdhënie të mjalta me Sulltan Hamidin e II, e se ky, tue i çmue përpjekjet kulturore të Samiut, e shpërblente me këto dekorata. Përgjegjien po ia la Zonjës Samije Frashëri, së bijës së Sami Beut.
“Sulltani, më thoshte Zonja Samije, e urrente babën, si çdo shkrimtar tjetër që ia kishte frikën. Nëpunësija e fundit e babait ishte kryesekretarija e njij Komisjoni të naltë ushtarak, për inspektimin e punëve ushtarake. Ky komision përbahej prej prej 50-60 ushtarakëve me grada ma të nalta: prej mareshalësh, gjeneralësh dhe personalitetesh të Shtabit Madhuer qi mblidheshin në Pallatin Mbretnuer. Në mes të këtynëve, si civil ishte vetëm Sami Beu. Por, a kishte marrë pjesë, qoftë edhe nji herë në këto mbledhje, për të bamë praktikisht detyrën e kryesekretarit? Asnjiherë”. Dhe e bija e Samiut vazhdon: “Nëpunësija e tij ishte sa për emën. Ndonëse nëpunës zyrtar i shtetit. Aji qe detyrue të rrijë në shtëpi të vet dhe të mos dali, veçse pak, jashta mureve të shtëpis, dhe të pranojë miq. E kjo liri e kufizuese vazhdoi deri në vjetin 1899. Mbas kësaj date, nji ditë na vjen Mabejnxhiu Emin Bej dhe i kumtoi babait një urdhën mbretnuer që e ndalonte të dilte ma jashta shtëpisë. U ndrye në shtëpi dhe, me qenë se në atë kohë spiunët i përgjofshin dhe i ndiqshin, sidomos shkrimtarët, me përjashtim të njij pakice, filluen të mos vijnë këta as për vizita. Se sa mërzitesh i shkreti im At nga ky zullum i Sulltanit, e merrni vet me mend. Pallati po e bante të vdesi moralisht…
Nji herë, kur iu ashprue sëmundja shiatike që kishte, kërkoi leje të shkojë në banjat e Brusës për mjekim. Leja nuk iu dha”.
“Për Ramazan, simbas zakonit, u ftojshin në Jelldez për iftar krejt funksionarët, tue fillue nga ministrat, komandantat deri nëpunësat ma të vegjël e parija; por im Atë nuk u ftonte. Me gjithë këtë, shpërblimi mujuar dhe dhuratat e zakonshme i dërgoheshin në shtëpi me nji adjutant mbretnuer”.
Më 13 Nanduer 1902, kur u martova me Reshid Beun, nuk u lejue të merrte pjesë në ceremoninë e dasmës ndonji njeri. Në kurorëzim qe lejue ardhja vetëm e nji hoxhe me dy dëshmitarë”.
“I prekun për së tepri nga këto sjellje të Sulltanit despot, im At ia dëshironte nga zemra vdekjen dhe, kur ndonjëherë ndiente krisma topash, në rasë të ndonji zjarmi, i numëronte të shtimet dhe, kur shifte se nuk e kalojshin numrin 8, fshante tuj murmuritë me fjalë dëshpërimi: “Ah, s’qenkan topat e vdekjes së tij!”
Kjo ishte politika me dy faqe e Sulltanit: Me i shtypë njerëzit e kulturës; me u mundue, në mos me shue, së pakti me lanë të shterbet inteligjencën e m’anë tjetër, me dhanë të besojë botës se Sulltani asht dashamirës dhe mbrojtës i dijetarëve. Ironi! Por nganjëherë edhe e keqja ndjellja të mira. E kështu, Samiu i madh, tue përfitue nga orët e lira, u muer me studime kulturore dhe prodhoi veprat e tij kolosale. Sigurisht, Samiu po të kishte mbetur nji nëpunës i përkëdhelun i Sulltanit, do të shuhej si dritat e nji theatre që fiken me të mbaruemt e pjesës. E ky Sulltan që ishte bujar për hajna, cuba e injorantë, u sjell koprac me Saminë që s’mendoi tjetër veçse të jetë i dobishëm për njerzi: aji e ndryni Samiun, por asht nji botë tjetër, nji botë mirënjohëse ajo që e skaliti emnin e tij ndër të pavdekshmit.
Ç’ishte arsyeja e kësaj mënije mbretnore kundër njij njeriu që punonte për të mirën e përgjithshme?
Këtë do ta gjejmë në veprimtarinë e Samiut.

Veprat e Sami Frashërit

Kur Sami Frashëri s’qe njoftë edhe prej Sulltanit si njeriu i drashtun për të dhe gëzonte hirt e veta, Aji ishte hudhë në shtyp. Si zyrë kishte nji lugajë të vogël në Babi An. Sipër saj nji dhomë që i shërbente për fjetje. E deri më 4 maj 1884 ai çon nji jetë beqari tue iu kushtue vetëm shkrimeve të tij.
Bota e kulturës njofti Saminë ma tepër si nëpunës “avvieu”, si gazetar, shkrimtar, letrar, dramaturg, leksikograf, teolog e turkolog. Prej 1972 e deri më 1904, që asht data e vdekjes së tij, për 31 vjet rresht Samiu shkroi subjekte të natyrshëm: i shërbeu sidomos dritësimit të gjuhësisë turke.
Në gazetari kishte një parim dhe besim. Besonte se gazeta i ka bamë dhe i ban shërbime të mëdha popullit dhe vendit. Por, që të jetë e përgjithëshme dobija e njij fletorje, parashihte do kushte. Fletorja duhet shkrue me nji gjuhë që të mund t’a marri vesh gjithkush; fjalitë duhet të jenë të shkurta, të karta, që mos të mërzisin lexuesin: të shitet me nji çmim që të mund t’a blejë gjithkush.
Qëllimin kryesuer i fletorarit e lidhte me dobin e përgjithëshme. E, për këtë kërkonte sakrifica nga botuesi. Ja se si thotë vetë në të parin numër të “Sabah-ut”, që botoi më 25 fruer 1876: “Në çdo punë ka nji qëllim themeltar. Qëllimi themeltar i fletoreve asht dobija e përgjithëshme. Me kërkue me botue nji fletore për të sigurue interesat vetjake, asht m’u nda nga qëllimi kryesuer. Tue marrë përsipër botimin e fletores s’onë, qëllimi ynë asht me i shërbye Atdheut. Interesin personal nuk do ta vemë përpara qëllimit kryesuer”.
Historiani turk Abdurrahman Sheref beu, tue bamë kritikën e artikujve të Samiut, i çmonte këta, me këto pak fjalë: “Çdo artikull i Sami Beut asht nji e vërtetë, nji mësim për popullin!” Kishte të drejtë.
Në numurin e parë të së përkohshmes “Turk Yili”, Jusuf Akçora na shënon se Samiu fillon aktivitetin në gazetari në vitin 1873, si kryeredaktor i fletores “Hadika” (Kopështi); kurse Samiu vetë në autobiografinë e tij të pambarueme e pohon këtë, por shënon edhe se qëllimi i tij në këtë fletore ishte me bamë ushtrime në shkrime dhe në përkthime.
Pyetjes nëse “Hadika-ja” ishte nji fletore e themeluese nga sami Frashëri ose jo, na i përgjigjen dy njerëz me randësi. Fletorari turk Ebuzzia Tevlik pretendon se “Hadika-ja” të jetë pronë e tij; kurse Necip Asim beu, nji nga biografët e Sami Frashërit, shënon se serioziteti i gazetës len të kuptojë se “Hadika-ja” asht vepër e Sami beut. Sido që të jetë, fletorja në fjalë nuk pati jetë të gjatë; u mbyll ashtu si shumica e fletoreve t’epokës despotike të Sulltanëvet. Kështu, samiu u kthye përsëri për nji kohë në zyrën e shtypit për të vazhdue si nëpunës dhe për t’u marrë me shkrimin e libravet gjithfarësh, emnat e të cilëve lexuesi do t’i gjejë në listën në fund të këtij artikulli.
Por besimi që ai kishte se gazeta shërben, e bani që të themelojë nji fletore tjetër. Asht fletorja “Sabah” që pati nji jetë të gjatë e që, me disa ndërprerje, mbijetoi e jeton edhe sot, në nji ndryshim të vogël t’emnit “Yeni Sabah”.
Ja se si e përshkruen Necip Asim beu lidhjen e samiut me fletoren në fjalë: “Në vitin 1877 kisha ardhë në Stamboll nga gjimnazi ushtarak i Damas-it. Atëherë samiu botonte “Sabah-un”. Pronari i saj ishte Papadopullos, nji grek pa kurrfarë merite e që kishte nji fytyrë idioti. Por redaktimi i gazetës nga nji njeri serioz siç ishte Sami Beu kishte bamë që copa e kësaj gazete të shitej për 10 pare, në nji kohë kur fletoret e tjera shiteshin për pesë. Samiu shkruante kryeartikullin e kësaj bashkë bashkë me nji rubrikë tjetër të titulluese “Andej-këndej”, ku, po aji, përkthente fjalë t’urta dhe spirituale apo vepra të shkrimtarëve të përmendun të francës, si Rochefoucauld e tjerë. Nga ky shkak Samiut i kishin shtue mbiemnin Sami andej-këndejmi”.
Kryengritjen e Bosna-Hercegovinës e ndjeku kryengritja e Serbis. Kjo polli luftën e Rusis, edhe vlera e banknotavet turke ra shumë. Për këtë arsye u mbyll “Sabah-u” ashtu si fletoret e tjera.

Samiu në mërgim

Asht nji ngjarje e papritur që e largon Samiun nga Stambolli, për të rifillue nji fletore të re.
Marrja e Samiut me nji zell të pathyeshëm me shkrime gjithfarësh, qysh prej kohe kishte tërheqë vërejtjen e rrethit të Sulltanit.. Samiu nuk përtypej prej shumëkujt me Sulltanin në krye. E kur botohet drama “Gjave” e Samiut që paraqet në skenë kryengritjen persiane kundër tiranit Dahhak, kthetra asht gati për ta kapë të gjorin Sami e për ta hudhë në Tripolitanin perëndimore. E këtë internim Samiu nuk guxon t’a shfaqi atëherë, por thotë: “Tripolis i lypsej nji shkrimtar dhe zyra e shtypit më dërgoi…” (1874).
Në Tripoli mos ma keq për jetesë! Por, si ndodh kudo në këso rastesh, edhe këtu u gjind nji burrë me ndërgjegje e me nder për t’i shtri dorën këtij fat-ziu. Asht Sami Pashai, valiu i vendit, i ati i shkrimtarit të mirënjohtun Sezai bej. Ky i proponon Sami Frashërit të botojë nji fletore me emën “Tripolie”, në dy gjuhë, arabisht e turqisht. Samiu e pranon edhe e përmbush këtë detyrë si ma se mirit.
Mbas nji vjeti, me ndërmjetësinë e Veli Sami Pashait, Frashërjoti ynë falet dhe kthehet në Stamboll. Për nji kohë merr redaksinë e fletores së Mihranit “Terxhymani Shark” (Lajmëtari i Orientit). Me ndalimin e saj, rifillon “Sabah-un” (1877). Papadcpullos asht prap pronar, Mihrani dinak blente të drejtën e gazetës dhe vendoset si drejtor dhe pronar i fletores për t’a shfrytëzue mundin gjithnji prodhues të Samiut.
Kësaj here “Sabah-u” me Saminë në krye zen vendin që meriton në botën e shtypit.
Samiu i shton “Sabah-ut” edhe dy revista të tjera: “Aile” (Familja) dhe “Hafta” (Java), që nuk do të kenë jetë të gjatë (1881) dhe nji seri librezash me subjekte të ndryshëm: “Gok” (Qiella), “Yer” (Yoka), “Insan” (Njeriu), “Emsal” (Shembuj) dhe “Medeniyeti islamike” (Qytetnimi muhamedan) e të tjera.

Sami Frashëri Letrar dhe Dramaturg

Kur Samiu fillon punën si letrar, në perandorinë otomane, asht epoka e shkollës së re letrare të tanzimatit. Kjo shkollë e themeluese nga Shinasiu dhe namik kemali, e tërhjek Saminë, i cili mbas shkrimit të “Historis Gjenerale” që s’e botoi, dhe mbas përkthimit dhe botimit të vëllimit të parë të përmbledhjes së Historisë së Francës, del në sheshin letrar me romanin e tij “Taashuku Talat ve Fitnet” (Dashnorët Talat dhe Fitnet). Kjo asht nji “dava”, nji mbrojtje, nji “plaidoyer” kundër mënyrës së martesës turke.
A asht i kënaqun nga kjo vepër e parë? Nuk beson edhe aji vetë, kur thotë: “Kjo vepër dëshmon se, n’atë kohë, s’e paskësha njoftoë edhe gjuhën që quhet: gjuha familjare e turqishtes, si shkrimi ashtu edhe këndimi i romancave nuk e kënaqin dijetarin Shqiptar. Prandaj nuk tenton të vazhdojë të shkruej prej sish.
Hikmet Turhani, nji nga studiozët e veprave të samiut, në librin e tij “Shemsedittin Sami, hajati ve eserleri”, botue në Stamboll më 1934, për sa i përket mendimit të sami Beut për romanca, na jep këtë gjykim të çuditshëm: “Ndjesë pastë, në rini merrej me shkrimin e romancave dhe me copa teatrale. Ma vonë, tue u plakë, kishte fillue të merrej me dijenina ma të randa e ma serioze dhe me gjuhën turke. Me gjithë që s’i donte aq romancat, përktheu në gjuhën turqishte “Les Miserables” të Viktor Hygo-it, mbasi e kishte tepër për zemër këtë poet e shkrimtar. S’i pëlqente të këndonte romanca. Shpesh thoshte: “Si mund të këndojë njeriu gënjeshtra?” Me gjithë këtë, ndonëse s’e njihte personalisht autorin, pëlqente për së tepri romancin “Myrebbije” (Edukatorja) të Hysein Rahmiut. Admironte sidomos përshkrimin e përpiktë që ishte ba në të.
Nga shkrimtarët e ri, të shkollës së re që ishin grumbullue rreth së përkohshmes “Serveti Fynun” (Visar i Shkencavet), këndonte shkrimet e Tevfik Fikretit, Xhenap Shehabeddinit, Hysein Xhahitit e tjerë. Për këta thoshte: “Këta të rij janë tue vu themelet e nji shkolle të re të literaturës; t’ishin marrë së paku edhe me thjeshtësimin e gjuhës…”
Kështu Samiu i ynë largohet nga romancat për të tentua nji fat ma të mirë me pjesë teatrore. Nji vjet mbas botimit të romancit të tij “Taashuku Talat ve Fitnet” (1873), vinë nji seri veprash të tjera: nji tragjedi me emën “Sehrab”, marrë nga Shahnameja, por lanë e pabotueme mbasi s’qe pregatitë simbas kushteve të duhuna për t’u paraqitë në skenë.; dy vepra të tjera që u botuen: “Tetari Plak” dhe përkthimi i kallximit të falshëm “Galan” (1874). E mendja e samiut nuk do të pushojë; gjithnji e freskëy, pjellore, na jep “Sejid Jahja-“, “Gjave-n”, e sidomos “Besën”, që e ndante Saminë Shqiptar për nji moment nga arena e dijetarëve kozmopolitë për t’a hudhë në sheshin kombëtar tue e bamë të mendojë e të shkruajë në gjuhën e nanës së vet, t’i tregojë botës s’Orientit dhe t’Oksidentit “Besën Shqiptare”.
Enciklopedija dhe vepra të tjera të Samiut

Nji vepër të përfshijë biografitë t’shumicës së njerëzvet të dalluem t’Orientit e t’Oksidentit që të japi dijeninë për veprat e tyne, për shkencën, historinë dhe gjeografinë e botës mbarë, n’Oksident përpilohet nga nji akademi e përbame prej shumë dijetarësh. Në Perandorinë Otomane mungonte nji e tillë. Asht nji person, nji Sami nga Frashëri, q’e ngarkoi vedin me ketë mision. E punoi, e mbaroi dhe e botoi me sukses.
Mbarimi i të botuemit t’Enciklopedisë u prit si nji ngjarje e jashtëzakonshme. Shtypi dhe shkrimtarët e çmuen, e komentuen dhe e uruen auktorin e ndritshëm me mirënjohje. Do të më duhej të ndaje nji kaptinë të veçantë, por ngushtica e vendit më shtrengon, kësaj here, të kufizohem me përkthimin e dy copave urimi, të nxjerruna nga letrat e do dijetarëve dhe letrarve, dërgue Sami Beut, për të dishmue randësinë e madhe q’ipej kësaj vepre kolosale. Vepër kjo që i jepte nderë sa auktorit aq edhe kombit Shqiptar.
Në mujin Fruer të vjetit 1898, i shkruen dijetari turk Veled Çeleviu: “…Vetëm nga turpi deri tash s’muejta të vij e t’i puth duert e jueja të bekueme, të cilat po na ushqejnë me vepra dijetare…”
“Më vjen me të vërtetë shumë keq s, nga pengimi i do mendimeve, s’munda t’ju përshkruej menjiherë, ndjesitë e mija të shumta që ndjeva kur mësova marrjen fund t’Enciklopedisë. Por, ishalla nji ditë, të marrë guxim t’ju bezdis, do të vij vet, t’ju paraqes mirënjohjen time.
“Tue ju puth duert me4 nderime, mjeshti im i naltë, i jap fund…”
Nga letra tetë-faqeshe e poetit të përmendun Rexhai Zade Mahmut Ekrem:
“I veneruemi Dijtar,
Paskia marrë fund me sukses pengu i Enciklopedisë. Ju uroj nga zemra për kërë fitore. Me kët vepër madhështore e keni ngulë nji përmendore të lavdishme në sheshin e intelegjencës s’uej.
Dikuer, mirë-njohsit botojshin biografitë e politikajvet të përmendun dhe jetëshkrimet e zejtarvet dhe shkencatarvet nëpër të përkohshme.
Sa mirë që tue u përmbushë kjo detyrë! Mjerisht janë rrallue ata q’ishin tue ecë në këtë udhë të çelun prej të parvet t’onë. E ju, tue u përpjekë e punue 11 vjet rresht e kryet këtë punë.
Nëpër faqet e veprës s’uej të botueme, e cila duhet të jetojë sa të jetë bota, tue u u ndreqë nga nji vorr të gatë e të ndritshëm të parëve t’onë të dalluem, përgzuet shpirtnat e tyne, dhe, tue u lehtësue vizi8tat e pasardhsavet tyne siguruet zgjimin e marrjes shembuj.
Me lutje që t’i pritni mirë ç’ju shkrova dhe të më falni për përshkrimin e do mendimeve të mij modeste me shembuj e metaforia që nuk i pëlqeni, e tue u shtue këtyne edhe nji herë lutjen për vazhdimin e sympathisë që keni ndaj meje, mbetem…”
Më 12 Fruer 1314”
Pjesa e dytë e veprave të Sami Frashërit përbahet nga ato të pabotuemet. E, këtu do të mund të flas vetëm për nji ose dy prej këtyne që dëshmojnë spesializimin e samiut në gjuhsinë turke.
Turqishtja, përmbante nji problem që kërkonte zbërthim. Kjo gjuhë mësohej me vështirësiee të madhe. Për të nxanë me këndue e me shkrue mirë gjuhën – q’atherë quhej otomanishte – i duhej nji nxanësi të nxajë s’pakti, gramatikën dhe syntaksën e tri gjuhnave: Turqishtes, Arabishtes dhe Persishtes. Nga ky shkak arsimi në perandorinë Ottomane pat ngelë shumë mbrapa e gadi si i kufizuem për nji klasë të zgjedhun. Me kët të metë, në ç’do anë të mekanizmit të Shtetit dukej mbrapshtija.
Sami Frashëri kishte mendue t’i shërbejë zhdukjes së këtij pengimi, t’a lehtësojë këndimin e shkrimin dhe t’a bajë të mundshëm mësimin për të gjithë. Studioi historinë e literaturës turke, kërkoi t’a njohë njiherë ai vetë rranjën e kësaj gjuhe e mandej njohjen e tij t’ia shtrojë publikut. E kjo udhë do t’a shpjer Samiun në filologji.
Gjeti ca vepra të vjetra e të rralla me randësi, në mes të cilave “Monumentet e Orhunit”, simbas kallximit të Radllofit, dhe “Kudotku Billik-un” – simbas kallximit të Vambery-it, që do të ja jepshin elementet e duhun për ta formue idenë bindëse. Vendosi t’i përkthejë këto në gjuhën e Turqishtes Perëndimore, t’i komentojë dhe t’u thotë Turqvet: kjo asht gjuha e juej, këtë lypset ta mihni dhe t’a ndiqni, se kjo ju bashkon me Turqit e vjetër.

Samiu Linguist dhe Purist

Sami Frashëri del në skenë me parimin purist, d. m. th. kundrushtar i përdorimit të fjalëve të hueja turkishte dhe anëtar i ringjalljes së fjalvet turke lanë mbas dore dhe në harresë. Mbron thezën e vet tue marrë si dëshmitar librin antik Kudatkun Billik.
Kudatku Billik-u asht i shkruem në vitin 1870 prej Jusufit nga Balasagun-i, për Tafgaç Bogra Tarahan-in, q’asht nga familja e Karahanllijve e që sundonte në Qashgar.
Jusufi me këtë vepër, kishte fitue gradën e vezirit, ose me fjalë tjetër që përdorej në perëndim: Haxhip (që mban perden e mbretit).
Emni i librit don të thotë: Dija që jep fatbardhësi. Njoftja nga bota dijtare e numërit të parë të këtij libri asht vjeti 1439, në Herat. Ish i shkruem me shkrimin Uigur. Sikurse na njofton edhe Sami beu, ky libër mbasi ish përshkue nëpër shumë duer, ish ble nga historiani i famshëm Hammer, në Stamboll e dhurue bibliotekës së Vjenës. Nji kopje e dytë e këtij libri, shkrue me shkronja arape, gjindet në Kairo, në biblotekën e Kedivit.
Vepra, që përfshinë ma tepër se 6500 vjerrsha, asht pothuejse nji libër diplomasije. Auktori veprën e vet e ka nda në 4 pjesë: Drejtësia”, “Shteti”, “Mendja” dhe “Autorcia”. Çdo pjesë nga këto i ka paraqitë si njerës dhe i ka ba të jetojnë. “Drejtësinë” e ka përfytyrue si nji Mbret me emën Leu dita. “Shtetin” nji Vezir me emën “Ogtulmus” dhe “Aurorcinë” si të vllain e njij veziri me emën “Otgurmus”.
Libri asht i përbamë prej bisedash dhe diskutimesh.
Ka njerëz që pretendojnë se Kudafku Billik-u asht nji copë politikë shkrue simbas shkollës filozofike t’Aristofanit, e se Jusuf Has Haxhipi asht indirekt nji nga dishepujt e Ibni Sinait.
Në botën letrare turke influenca e Kudat Billk-ut ash ba shumë e madhe.
“Nga pikëpamja letrare, thotë Samiu, gjuhët ndahen në dy grupe. Gjuhë që gzojnë nji litraturë qysh nga krahinat e lashta dhe kanë vepra të vjetra, dhe gjuhëna që këndohen e shkruhen shumë prej 100-200 vjet e këndej e që s’kanë vepra letrare të lashta…” dhe vë në tryezë për diskutim, nëse gjuha turke ban pjesë në të parin grup ose në të dytën.
Shumë prej shkrimtarësh shfaqin mendim se Turkishtja ban pjesë në grupin e dytë, tue pretendue se, gjuha në fjalë ka përparue dhe asht zgjanue përditë e ma tepër me do terma teknike, me fjalë arape, persiane e do gjuhnave të hueja t’adaptueme turkishtes. Kurse Samiu asht me specialistët që kanë thellue problemin dhe kanë studjue landën dhe që s’tregojnë aspak dyshim se gjuha turke ban pjesë në grupin e parë. E Samiu, për të mbrojtun mendimin e vet, deklaron se gjuha turke ka vepra letrare të lashta mijvjeçare. Kritikon Ottomanishten që asht shkaktare për ndamjen e turkishtes dysh: në Cagatajishte e n’Ottomanishte, provon me veprat shkrue nga të dy palët, se të dyja këto gjuhë kanë mbetë të hueja njana me tjetrën. Përmend mandej se ndodhja e fjalve dhe ekspresioneve ma tepër arabishte dhe persishte se sa turkishte në gjuhën e re kanë shkatue mbetjen e kësaj gjuhe n’influencën e imitimit t’ekspresionevet dhe të rregullavet të persishtes, dhe përfundon se këto kanë humbë randësinë letrare që pritej prej tyne, e se duhet ndjekë turkishtja e thjeshtë. Flet mandej mbi Kadatku Billk-un që asht botue tamam 250 vjet para ndamjes së Turkishtes dysh:
“Në vjetin 464, në Qashgar, në kët vend thjesht turk, u gjind nji vepër e bukur, shkrue në vjersha thjesht turkisht me 5 a 10 fjalë arabe e perse. Libri s’asht i humbun, por s’asht kërkue prej askujt, randësia e tij s’asht kuptue. Në fund, Orientalistat e Evropës, të cilët në mes të gjuhëvet orientale të tjera qenë përpjekë t’a studiojnë edhe gjuhën turke të vjetër, kur filluen të bajnë kërkesa mbi fondin, formasionin dhe derivasionin edhe të kësaj gjuhe, zbuluen se gjindej nji libër me emën Kudatku Billik që përfshinte themelin e literaturës turke e që ishte nji visar i çmueshëm i kësaj gjuhe. Por s’mujtën t’a zotnojnë librin, s’mujtën t’a këndojnë, s’mujtën t’a kuptojnë.
Vambery ku i përmenduni Orientalist nga Hungarija, shtiu në dorë nji fletë nga ky libër të vlefshëm, kopjoi tekstin origjinal, e shkroi me shkronja evropiane dhe e përktheu në gjuhën gjermanishte, dhe botoi në vjetin 1870 nji vepër të vlefshme që i njoftoi botës se ç’asht Kudaku Billik, tue pohue në parathanjen e librit se gjuha me të cilën asht shkrue Kudatku Billiku, s’asht tjetër përveçse Turkisht”.
Sami beu, mbas përpjekje dhe studimi të thellë të këtij visari kërkon që Turqit gjuhësisht të kthehen në shtratin e tyne të vërtetë tue i ndriçue me Katadku Billikun, dhe thotë:
“Shka janë veprat e Emiryl Kajsit mbas Kuranit në gjuhën arabe, ‘ç’asht Shehnameja për Persishten, ç’asht Iliada e Homerit për gjuhën grekishte e vjerrshat e Dantes për italishten, ashtu asht Kudatku për gjuhën Turkishte”.
Nga libra të tjerë të pabotuem të Sami Frashërit që kanë nji randësi të madhe e që shërbejnë nji burim për Turkishten, janë: “Monumentat e Orhunit”. “Langoge-i Turk”, “Vendet e Misirit” dhe Ettohfetyzzekije Filugatut turkije”…
“Monumentat e Orhunit” përbahet prej 105 faqesh. Libri i fundit “Ettohefetyzzekije…” përbahet prej 212 faqesh. Samiu këtë libër e kish mbarue në vjetin 1904, pak para vdekjes së tij.

Si ka qenë Samiu dhe si punonte çdo ditë
Sami Frashëri ishte i gjatë nji metër e tetëdhetë, me nji ballë pak si të dalun, sy-si, i hollë, delikat. Mjekrën e kishte të bardhë, të pastër, flokët të kaçarrueme, majën e kresë palloke. Dukej nji burrë i plakun para kohe. Ishte nji personalitet shumë i dashun që lente përshtypje të mirë në njerës q’e takojshin.
Ahmet Ihsan beu, në revistën e tij Serveti Fynun Nr. 275, fq. 226, vjeti 1895, e përshykruen kështu: “Rrallë takohet në njerës kandëshmenija e fytyrës së Sami Beut. Nonëse asht në nji moshë sa mos të quhet plak, nga orvajtjet e papreme, koka e mbulueme përgjysmë me flokë krejt të zbardhun, len të kuptohet se sa tru punëtori ka. Gjithashtu, mjekra e bukur, krejt e bardhë i jep nji hijeshi aq t’ambël fytyrës të tij të stolisun me dy sy të ndritshëm sa s’mund të përshkruhet. Fjalën e shpenzon me qindresë e seriozitet. Kësaj duhet shtue edhe politesa e jashtëzakonshme e mjeshtrit të veneruem”.
Shumë i butë, i sjellshëm, fliste me za t’ulët, e urrente zhurmën, nderonte konviksionin dhe personen e gjithkujt.
Në shtëpi ecte gjithnji pa kësuel, nuk u dukte as pranë kalamajvet me këmishë nate. Flinte dhe u çote gjithmonë herët. Në bukë ishte i qeshun kallzonte kujtime dhe bante mahina. Kishte zakon të pinte nji gotë konjak para buke. Në bukë pinte nji gotë venë të bame prej dorës së vet; veç këtyne s’përdorte pije tjetër, dhe duhanin s’e pinte kurrë. Ishte tepër i dhanun mbas fëmis e farefisit të vet, dhe u zemronte kur diktonte se gratë e familjes nuk u delshin meshkujvet farefis.
Ishte nji njeri i përvujtun, i kufizuem me lakmitë e veta. Nuk kishte përqafue asnji sekt. Se ç’asht fanatizmi ai nuk dinte. Besonte nji fuqi sipërnjerëzore dhe përqafue pavdekshmëninë e shpirtit.
Me ecë mbas programit dhe rregullit ishte nji natyrë e dytë për të. I biri, Ali beu, kështu më tregoi përdorimin orëve të babës së vet:
“Im atë u çote nadje tepër herët, n’orën 5. Ndizte llambën e stufën ai vet. Gjithashtu, e ndreqte edhe shtratin me duer të veta. Mandej u merrte me korrigjimin e shkrimeve të tij, deri n’ora 7. Mbas kësaj përgatitte çajin. Mbasi u çote para kohe, s’donte të shqetësonte askendi; edhe në kohën e fundit flente në dhomën e punës. Në mangies (mëngjes) pushonte nji orë tue pre punën. Mbas kësaj ore rifillonte. Kështu vazhdonte deri në drekë. Për bukë u thrritte me zile, vinte i fundit në tryezë. Mbas buke bante nji pushim dy orësh dhe përsëri fillonte punën.
Darka në shtëpi bahej shumë ma vonë se muzhgu. Deri në vjetin 1899, gadi as nji natë tryeza s’kishte mbetun pa miq. Midis tyne dukeshin Priftën, Hoxhallarë, Shejha, Dërvisha, Orientalista të huej, të rij e pleq.
Im atë na i paraqitte edhe ne. Ishte i shoqnueshëm. U përpiqtte ta kuptonte çdo mendim të çdo njeriu. Me fëminë bahej fëmijë. Darkat vazhdoshin gjatë. Mbas darke nuk punonte. Vetëm në rasë se kishte pasë miq dhe në qoftë se për të nesërmen kishte punë për të bamë, atëherë punonte prapë. Në ditë, mezatarisht punonte 13-14 orë.
Kopjen e parë e shkruente me ngjyrë mbi letra të gjata e të kaltërta dhe me pendë kallami të preme e të përgatitun me dorë të vet. Shkruente pastër e me nji shkrim të bukur. U ulte në mindere, merrte përpara nji bankë shkolle, e paloste letrën, e vente mbi gju dhe tue e mbajtë me dorën e majtë shkruente me të djathtën. Shkrimin e kishte si të nji kaligrafi të mbaruem”.
“Shemsedin Sami Beu – thoshte historiani Abdurrahman Sheref – qe shumë puntuer e krijues. Ishte nji njeri me dishiplinë mentale të madhe. Në kohën ma të shtrenguet të cenzurës ai arriti të shkruejë dhe t’a botojë Enciklopedinë e tij. Në çdo 15 ditë dërgonte kopje në shtyp, pa vonesë, mbi letra me të njajtin format, poa u fshi kund në ndonji vend, dhe tamam nji format, as ma pak e as ma tepër. Saktësia dhe puntoria e nji njeriu në këtë shkallë asht për t’u çuditë”.
Me gjithë këtë, s’ishte edhe pa zakone të çuditshme. Kishte nji maqinë shkrimi me germa turke, kishte gdhendë shkronja nga shimshiri. Këto shkronja edhe sot janë të ruejtuna nga i biri Ali Sami Beu. Ishte anëtar i pranimit të shkronjave latine për shkrimin turk. Edhe në mes shkrimeve të laguna nga ai, janë do që lanë të kuptohet se ai ka ba do prova.
Për turqishten ai kishte sajue njëfarë maqine daktilografike prej 45 shkronjash. Ky mendim i asaj kohe vlen të studiohet nga pikëpamja e shtypshkronjës.
Kishte andje të madhe edhe t’i priste dhe t’i sartonte drutë dhe pemët e kopshtit.
Nonse kishte nji kaligrafi shumë të bukur, nuk mund bante piktura. Gjithashtu muzikën turke s’e pëlqente dhe as muzikën e perëndimit.
Krejtë kundër mendimit të djalit të vetë s’e pëlqente sportin dhe e quante si ulje të mendimit. Megjithë këtë kujdesohej për shëndetin, lante kokën dimën e verë, me ujë të ftohët, kujdesohej për dhambët. Kur vdiq, s’i mungonte asnjë dhamb.
Kur nuk kishte punë, merrej me qypat e stufave dhe me rubinetet. Bante t’u jepeshin forma të ndryshme, për të pru me të nxehtit sa ma mirë nëpër dhoma dhe i këmbente format e mobiljeve. Për këtë arsye mbante në shtëpi nji zdrukthëtar italian i quejtun Filipo, dhe i gjente këtij gjithmonë punë.

Sa i deshte dhe si i edukonte fëmijtë

Sikurse u shënue edhe ma naltë, Sami beu i donte shumë fëmijtë. U kujdesonte shumë për edukim të tyne. Dëshironte për së tepërmi që këta të nxijshin gjuhë të ndryshme. Prandaj ky njeri q’u valavitte ner dijeni të thella, pat ba do gramatika posaço që kalamajt të nxashin ma lehtë abetaren, arabishten, persishten, turqishten dhe shqipen.
Kishte pajtue mësues posaçe për kalamajt. Tue qenë nderues i traditave, u jepte nji kujdesim posaçe vajzave të veta.
Vajza e madhe e ndjesë-pastit, Zonja samite më thoshte:
“Në kohën tonë kishte shumë pak sende për të këndue në gjuhën turke. Nji grup shkrimtarësh dhe poetësh i përbamë prej henap Shehapettim, Fikret, Ali Ekrem, Halid Zija e tjerë po sa ishin dhe kishin themelue shkollën e re letrare, grumbullue rreth revistës “Serveti Funu”. Deri n’atë kohë njerëzia që dishin gjuhë të hueja, këndofshin libra në gjuhë të huej. Në kohën tonë, nji qi dinte nji gjuhë të huej, në turqishte ishte e dobët. Nga zonjat e kohës sonë, ato që numëroheshin si shkrimtare dëfteheshin me gisht aq të pakta ishin: vajzat e Xhevdet pashait, Zonja Fatime Alije, Emine Semije dhe Mihrrinnisaja. Për ta mësue pra gjuhën, në shtëpi na vinte nji zotni nga Alxheria, me emën Museud efendi, i cili dinte shumë mirë arabisht dhe frëngjisht. Turkishten na e mësoi në fillim baba i jonë, ma vonë hoxha Abdurrahman efendiu. Veç kësaj, na vijoshin në shtëpi edhe mësuesa të tjerë për të na mësue pikturë, punë dore dhe piano.
Baba na donte fort. Nuk mbaj në mend të jetë idhnue qoftë edhe nji herë kundër nesh. Me gjithë këtë nuk mund të hyfshin pranë tij pa lejen e tij.. Në kambë kishte sijatik. Qe nji gëzim për ne me qenë me babën t’onë. Meqë na kish vdekur Nana, na ja kishim lidhë babait krejt dashurinë t’onë. Kur u sëmute ndonji prej nesh, ishte ai që na shikonte. Për këtë arsye herë-herë deshirojshim të jemi të s’mundë”.
Këto janë kujtime dhe veprat që na la frashërlliu i madh Sami.

“Besa” dhe Samiu në Fushën Kombëtare

Nexhip Asimi kujton se Samiu, për të shkrue “Besën” asht inspirue nga drami i Namik Kemalit “Vatan jahot Silistre”. Ky thotë: “Mbërritja e Samiut në Stamboll bjen afër në ditët kur Namik Kemali pat botue veprën e tij “Atdheu ose Stilistra” dhe në kohën kur qe ndalue çfaqja e saj në theatrin Gedik pasha. S’ka dyshim se Sami Beu, për ta shkruejtë “Besën”, asht inspirue nga “Vatani” i Kemalit dhe drama “Besa” s’asht tjetër veçse pjella e mërzisë së thellë që kishte ndiem auktori nga sjellja e zyrtarëve kundër çfaqjes së pjesës “Vatan”.
“Vatan lahot Silistre” asht nji pjesë patriotike shkrue nga poeti famëmadh Namik Kemal. Kjo vepër asht e përkthyeme në gjuhën shqipe nga i ndjeri Sabri Qyteza nga Korça i njoftun për patriotizmin e tij.
Ëpr, për këtë idhnim të Samiut kundër Sulltanit kemi “Gjave-n”. E “Besa” s’kisha me dyshue, asht grushti shqiptar i treguem prap Sulltanit tyran që përsekutonte vllaun e tij, Abdylin, , i cili përpiqej n’ato kohë për çlirimin e tokavet Shqiptare nga coptimi. “Besa” botohet në vjetin 1877, taman në kohën e luftës Ruso-Otomane. E atëherë Abdyli asht në lëvizje.
Nji parashiqim e shtynte Abdylin të shofi zi për popullin dhe vendin e vet, Shqipnin, dhe e ban të hudhet në kampin politik. Ishte nji nga ata ma të flaktit që ushqejshin idenë e ringjalljes së nji shteti Shqiptar më vehte. Shih për këtë arsye asht që, në fund të luftës Ruso-Otomane, kur tokat shqiptare tue u numrue si toka otomane, u faleshin elementit sllavo-grek nga Kongresi i Berlinit, aji, për të protestue pranë shteteve të mëdhej për këtë padrejtësi, formoi nji dërgatë prej Shqiptarësh dhe, tue e kryesue aji vetë, shkoi në Berlin, ku protestoi rreptë dhe i dha të kptojë Kongresit se këtë protestë do ta përsëritshin të gjithë Shqiptarët me armë në dorë në qoftë se nuk do të ndreqej gabimi i bamë nga Kongresi.
Aktiviteti i Lidhjes së Prizrenit bani që Abdylli të dalë me faqe të bardhë nga kjo përpjekje.
Janë shumë nga anmiqt e Shqipnisë, madje edhe nga zyrtarët e huej të Legatavet q’aso kohe ndodheshin me detyrë në Perandorinë Otomane q’interpretuen këtë sukses t’Abdylit si nji akt trillues të qeverisë otomane në dobinë e sulltanit mbasi lëvizja e Lidhjes së Prizrenit u lejue prej tij. Ky pretendim s’ka themel. Baza e problemit asht krejt tjetër. Populli jo turq q’ishin pjesëtarë në shtetin otoman, kishin sjellë bindje se Shteti otoman, me udhën që kishte znë, nji ditë kishte për t’u copëtue, dhe secili nga popujt q’e përbajshin këtë Shtet, do t’a meritonte lirinë. E në këtë rasë Shqiptarët, po qe se do të ndërrojshin vetëm zotni, pa nimue edhe ata indipendencën, do të humbshin shpresë për jetë. Problemin s’e përmbante pra as ndjenja kombëtare, as dobija turke, por thjesht interesi kombëtar Shqiptar. E Abdyli, vllau i madh i Samiut, u përpoq me milicinë e formueme prej thjesht Shqiptarësh, por edhe ma tepër prej Kosovarësh, për t’i shpëtue vendet arbnore në rrezik. E mabas Abdylit asht Naimi, vllau tjetër i Samiut, që do të këndojë e do të qajë pa pra për Mëmën Shqipëri me vjershat e tij të pavdekshme në “Bagëti e Bujqësi” e në “Lulet e verës”. Samiu do të harmonizohet në mënyrën e vet me vllaznit e tij tue u shtue këtyne vjershat e tij që shkroi në Gjuhën shqipe e sidomos si realist që ishte, me Abetaren, Gramatikën Shqip për t’akaparue brezin e njomë dhe pa harrue të na japi edhe ne nji libër: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, nga e cila n’ato kohë t’errta të gjithë përfituen me mirënjohje.
Por, ja Sulltani i kuq, Sulltan Hamiti II, që u njihte prej shumëkujt si dashamirës i Shqiptarëvet e që në politikë kishte frikë edhe nga hija e vet, na dërgoi Dervish Pashën në Shqipni për t’a zanë Abdylin e për t’i shtrue Shqiptarët që ishin egërsuem nga vendimi i padrejtë i Kongresit të berlinit dhe kishin rrokë armët tokat Shqiptare. E Dervish Pasha, mbas shumë mundimesh dhe me përkrahjen edhe të anijevet ndëkombëtare, i thyen aty këtu shqiptarët dhe, me trathëti, e zen Abdylin dhe e dërgon në Stamboll, ku iu ba gjyqi me burgim të përjetshëm.
Abdyli u burgos ma parë në kalanë e prizrenit e mandej u transferue në Ballikeser. Mbas pesë vjetësh u fal me ndërmjetësin e Gazi Osman pashës, heroit të Plevnës, dhe u pru në Stamboll, ku u emnue si anëtar bashkiak në Bashkinë e Stambollit (në Shehir Emaneti).
Nuk jetoi ma tepër se dy vjet mbas këtij emnimi dhe vdiq në vitin 1894.

Si u çfrytëzue dhe si vdiq Samiu
Por a asht shpërblye materialisht Samiu simbas vlerës, s’pakti që ta siguronte qetësinë e nevojshme për punë? Shuma e të hollave që ai muer nga të gjithë këto nuk kalonte të 100 lira turke ar. Ishte nji Ermen nga Kajseria me emnin Mihran që e shfrytëzonte. Nji njeri me shpirt spekulatori që Samiu vetë e kish qitë në dritë, tue e marrë pçër herë të parë si nëpunës me pagesë dhe ma vonë si radhues dhe kryeradhues në fletoren e vet “Sabah”. Por ky dinak gjen udhën t’a blejë të drejtën e fletorës nga greku Papadopullo dhe të bahet pronar dhe të paguente tash ai vetë ashtu si dishronte dhe sa të donte këtë shkrimtar të vorfën, të dërmuem nga grushtat e Sulltanit, nga nevojat e pambarueme të shtëpisë, nga sëmundja që i ashprohej kohë mbas kohe. Për çdo format t’”Enciklopedisë” Mihrani i jepte nji çerek mexhidije. E nji lirë turke bante 4 mexhidije. Të hollat e fundit për nji vllim t’”Enciklopedisë” as s’ia kish pague. E Samiu i gjorë, që të mos mbetej mangut vepra, asht shtrëngue pjesën e fundit t’ia japi pa të holla. Shuma që muer nga kjo vepër kolosale, për të cilën prishi nji mund 12 vjetësh , asht vetëm 300 lira. “Editori ma besnik faqe meje, u thoshte Samiu fëmijve të vet, ka qenë Ahmet Xhevdet beu, pronar i shtypshkronjës “Ikdam”. Për çdo format të diksionarit turk ka pasë mirësinë të më jipte 5 lira”.
Nga shkaku i ngushsticës financiare, Samiu, derisa u martue, bani nji jetë tepër modeste. Kuer më 4 maj 1884, martohet me zojushën Emine, të bijën e Kadi Asker Sadettin Efendiut, u vendos në Kandilli, në shtëpinë e vjehrrit të vet, ku qindroi 8-10 vjet. Por klima e këtij vendi e papajtueshme me të, ia prek shëndetin. Bahet siatik, shtrëngohet të ndërrojë shtëpi e të shkojë në Eren Koy, ku me shumë halle e borxhe kishte ngref nji kicsk.
Ishte nji shtëpi e bukur, ndreqë mbas planit treguem nga Sami Frashëri vetë. Por shtëpia ishte hipothekue n’arkën e sigurimit dhe s’mujti të pështojë. Mbas vdekjës së tij, u shit nga arka e sigurimit me nji çmim fare t’ulët dhe e bleu Ragip Pashai, ministri i oborrit mbretnuer.
Mundi i tepërm e kishte lodhë. Nji dobësi pleqnije ardhun pa pritë e pa kujtue, ia preu fuqinë dhe e bani të mos njifet. Ata q’e shifshin, kujtojshin të jetë 75 vjeç, kurse nuk ishte veçse 54, kur më 18 të qershorit 1904, ditën e shtunde, ndërroi jetë tue lanë afro 60 vepra.
Në vorrim mueren pjesë nji shumicë e madhe dijetarësh, poetënsh dhe krejt parija e shtypit. Vorrin e ka në vorrezat publike, kundrejt Xhamisë Sahrat Gedite, n’Eren koy, në Stamboll.
Shkova dhe e vizitova vorrin e këtij dijetari. Gjeta nji grumbull dhe, ca gurë, pranë vorrit të grues së vet Emine, q’asht prej mermeri. Sa e idhët m’u duk të jem dishmitar i nji shpërblimi të tillë për nji dijetar kaq vetmohues.

Veprat e Sami Frashërit

Në fushën e gazetarisë:
Taashuku Talat ve Fitnet (Të dashuruarit Talat dhe Fitnet) – 1873 (vepër e parë), Hadika (Kopshti)- 1873, Tarabulus (Tripolia) – 1874, Sabah (Mëngjesi) – 1876, Terxhymani Shark (Interpretues i Orientit) – 1878, Aile (Familja)- 1881, Hafta (Java) – 1881;
Biblioteka e xhepit:
Cok (Qielli) – 1880, Jer (Yoka) 1880, Insan (Njeriu) – 1880, Emsal (Shembuj) – 1880, Medenijeti Islamijje (Qytetnimi Mohamedan) – 1886, Himmetylhumam fi neshril islam (1886), Hordeçin (1886), Genç Insan (Njeriu i ri) – 1887, Lisan (Gjuha) – 1887, Letaif (Mahina) – 1887, Usuly Tenkid ve Terqip (Rregulli i kritikës dhe i komponimit – 1887), Esatir (Prralla) – 1895, Kadenllar (Gratë) – 1895;
Theatra:
Sejjid Jahjai (1876), Besa (1877), Gjave (1877);
Libra mësimi:
Kykyç Elifba (Abetarja e Vogël) – 1888, Kavaidi Sarfijjei Arabijje (Syntaksë Arabe) – 1888, Tasrifati Arabijje (Foljet Arabe), Jeni sul Alifbai Turkie (Gramatikë Turke – Abetare Turke, Mbas Methodës së re) – 1895, Jeni usul Sarfi Turkie (Gramatikë Turke – Mbas methodës së re) 1895, Tatbikati Arabije (Ushtrime Arabisht) – 1902, Tarihi myxhmeli Fransa (Përmbledhja e Historisë së Francës) – 1873, Galate (1874), Ihtijar Onbashi (Teatri Plak) – 1874, Shejtanene Jadigjarllari (Kujtimet e djallit) – 1879, Sefil-ler (Mizerabëlt) – 1881, Robenson (1886);
Fjalorët:
Kamusi Fransevi (Fjalori Frëng) turkist – frangjisht 91884), Kyçyk Kamusi Fransevi (Fjalori i vogël Frengjisht) – 1888, Kamusi Arabi (Fjalori Arab) – 1898, Kamusyl Alam (Enciklopedia) – 1899, Kamusu Turqie (Fjalori Turk) – 1901, Kamusu Fransevi (Nga Frëngjishtja në Turkishte) – 1902, Frangjisht Turkisht (Fjalori Frëng) – 1902;
Vepra të zgjedhuna:
Bakinin Eshari Myntehabbesi (Vjershat e zgjedhuna të Bakiut) – 1902, Ali Ibni Talibin Esh’ari myntahabbesi (Vjersha të zgjedhuna të Ali ibni Talibit) të përkthyeme bashkë me komentin – 1903;
Vepra të pabotueme:
Kudatku Billik (Vambery) – Përkthime me shënime (1870), Monumentat e Orhunit (Teksti, përkthimi, komenti dhe parathania), Lehxhei Turkije, Langage-i Turk, Maliqi Meser (Vendet e misirit), Ettohfetyzzekije Fil Lugatut Turkije;
Veprat shqyp:
Vjersha të pabotueme, Gramatikë dhe syntaksë, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet etj.

SHQIPTARËT DHE SHQIPNIJA E SAMI FRASHËRIT

Ishim në nji epokë në mes të shekujve XIX dhe XX. Po jetojshim në nji regjim absolut me nji administratë të qentralizueme. Shteti identifikohej me personin e Sulltanit. Në tanë Perandorinë sundonte robnimi politik, intelektual e shoqnuer.
Përballë kësaj situate ishte nji Evropë në lulzim. Revolucioni frëng kishte bamë mrekulli. Kishte rrafshuem mbeturinat e feudalizmit, zhdukë absolutizmin dhe këputë verigat e robnisë.
Ideologjia frënge kishte ndryshue faqen e frymën e jetës së vjetër në politikë dhe në kulturë dhe po n’atë kohë kishte sjellë fitoren e idesë nacionaliste, e cila ishte tue përparue me hapa të çuditshme.
Këto dy pasqyra në kontrast njana me tjetrën, kishin prekë thellë popujt e mbetun ende nën regjim despotik dhe theokratik siç ishte Perandoria otomane. Qetësia dhe paqa në shtet qenë tronditë keq: kryengritje Shqiptare, arabe; çeta bullgare, serbe, greke, armene në ndeshje të denduna me fuqitë qeveritare. Sulltani kërkon t’i ruejë privilegjet e veta, kurse fuqitë liberale me Turqit e Rij në krye, përpiqen të sjellin liritë qi janë shtrimun n’ Evropë. Asht nji kacafytje në mes dy fuqive, në mes t’atyne të Sulltanit dhe të liberalëve. Asht pra nji përleshje e përdhimbshme qi shifet veç nëpër shtetet mozaike, ku çdo popull kërkon të realizojë aspiratat e veta në dam të Shtetit të përbashkët.
Në këtë periudhë dhe në këtë ambient e shofim Sami Frashërin të rrjeshtuem në fallangën e liridashësvet. Ai punon pa za, por pa ndërpremje, me nji modesti të guximshme. Asht tue hudhun farën e nacionalizmës së nesërme Shqyptare në ravën e çilun nga vllai i math i tij Abdyli, për nji Shqypni veturdhnuese.
Për ta bamë nji popull veturdhnues, me nji shtet të lirë, duhet me e paraqitun këtë si nji komb të denjë për liri. Dhe, për ta paraqitun Shqyptarin si të tillë, duheshin zbulue cilësitë dhe kushtet e duhuna. Këtë barrë asht Samiu qi do t’ia ngarkojë vehtes, në nji kohë jo vetëm pak të volitshme, por edhe të rrezikshme. Ishte rrezik për çdo atdhetar Shqyptar qi donte të flasë për origjinën e racës së vet dhe, sidomos për nji Atdhe të vetin me kufij të caktueme, në nji shtet ku organet zyrtare e ndajshin Kombin Shqyptar në tri: mysliman, katolik, ortodoks dhe i regjistrojshin si Turq, Llatin, Serb ose grekë.
Sami Frashëri, ma tepër se çdo Shqyptar tjetër, qe ai qi guxoi t’i paraqesi Shqyptarët ashtu sikurse janë, si nji komb i veçantë dhe ma i vjetër se popujt e tjerë në Ballkan, si nji popull autokton qi gëzon nji histori të posaçme dhe nji Atdhe me kufijt e tij etnikë.
Cili asht aji, në mos Sami Frashëri qi dijti, n’ato rrethana, me durimin, guximin e urtinë e tij, të ngjalli përpara syvet të Shqyptarit qenëjen e tij si komb, t’i zbulojë e t’ia shtrojë përpara, atij dhe botës mbarë, rranjën, racën kah ka dalë e kur e ku asht vendosë?
Enciklopedia e Samiut asht nji rrasë, ku asht skalitun emni Shqyptar e Shqypni, për të mos u shlyem ma kurrë, asht nji visar i paçmueshëm, i cili shkund pluhnin shekulluer qi e kishte mbuluem emnin e Shqyptarit e të Shqypnisë, dhe u jep shpirt.
Ta ndigjojmë mjeshtrin vetë se ç’thotë n’Enciklopedinë e tij për ne, tue fillue nga emni ynë.

SHQIPTARI

“Emni i vërtetë i Shqypnisë asht “Arbënia” ose “Arbëria”. Emni “Albanie” qi përdorët nga Evropianët i ka lodhë për së tepërmi auktorët për t’i gjetë arsyet dhe rrjedhimin. Me qenë se Grekët nuk mund ta flasin shkronjën b, fjala “Arbenia” kthehet në “Arvania”, kurse popullsinë e saj e quejtën “Arvanit”. Otomanët germën ‘V’ e këmbyen me ‘N’ dhe formuen fjalën ‘Arnevit’ ose ‘Arnaut’.
Fjala ‘Are’ don të thotë Shqyp “dheu ku mbiellet”, dhe fjala “Ban” në Shqypen asht si në gjuhën persiane, don të thotë ai qi ban. Athere del vetiu se “arban” do me thnë “bujk”.Ata qi kanë sjellë për herën e parë mjeshtrinë e bujqësisë në Evropë janë kombet arian të ardhun nga Azija e Mesme dhe s’ka aspak dyshim se Shqyptarët kanë qenë ma të vjetrit e këtyne kombeve.
“Ky komb, thotë aji, banon në Gadishullin e ballkanit qysh nga kohët e lashta sa qi historia s’ka mundun të shënojë kohën e caktë”.
Këtë mendim të Samiut e pshtesin edhe autorët e sotëm të huej. Në librin “Essaf sur l’indipendance Albanaise” të botuem në vitin 1942, z. Andre Simonard, tue analizue këtë pikë, thotë: “Por asht e lejueme, si duket, me u bashkue me opinionin gadi unanim se Shqyptarët përbajnë racën ma të vjetër t’Evropës jug-lindore” (faqe 29).
“Sa për gjuhën Shqype dihesh se në të ndodhen fjalë qi kanë gjasi ose përbashkni me gjuhë të Greqisë së Vjetër, të llatinvet dhe të Sllavëvet dhe kujtohesh se mos këto fjalë janë marrun nga ato gjuhë. Ma në fund u shoshit dhe u kuptue se nuk asht ashtu. Asht konstatue se ka shumë fjalë qi në shqypen paraqiten si fjalë themelore, kurse në gjuhën llatine dhe greqishte të vjetër janë të derivueme; kjo gja difton se gjuha Shqype asht ma e vjetër se ajo greke dhe ajo latine, dhe Kombi Shqyptar asht shumë i vjetër. Disa fjalë tregojnë se Shqypja ka lidhje dhe gjasi ma tepër se me gjuhët ariane t’Evropës, me gjuhët farse, zente dhe sanskrite, dhe se gjuha e jonë nuk asht nji degë nga ato të Llatinvet, Grekëvet dhe Sllavëvet, por ka të bajë drejt së drejti me grupimin e gjuhëve ariane të vjetra. Kjo asht nji provë edhe se Kombi i ynë, porsi kombet e tjera ariane, të kenë zbritë n’Evropë nga Azija e Mesme.
Popujt e Evropës në kohë shumë të lashta, janë shkëputë nga Azija e Mesme dhe kanë emigrue grupe-grupe kah Perëndimi. Kombi Kelt i shtrimë n’Evropën perëndimore, duhet të ketë ardhë i pari nga këta grupime. Asht e mundun qi edhe Shqyptarët të kenë ardhë në këto kohë pak para ose mbrapa Keltëvet. Emni kombëtar i Shqyptarëve atëherë ka qenë “Pelazg” dhe mbas njij kallzimi, kjo fjalë asht rrjedhimi i fjalës “Plak”. Pa dyshim, ky komb ka pasë ardhë e asht shtrimë në të tana anët e ballkanit si edhe në pjesën perëndimore t’Anadollit. Ma vonë kanë ardhë helenët dhe kanë shkëputë nga dora e pellazgëvet gadishullin e Moresë dhe nji pjesë të greqisë. Atëhere shumë nga pelazgët kanë kalue n’Itali, ku, simbas gjasës, janë përzie me ndonji komb tjetër qi kanë gjetun aty dhe kanë formue kombin italian.
Pelazgët, do me thanë Shqyptarët e hershëm, kanë qenë ndamë në katër fise kryesore: 1. Ilirët, të cilët shtriheshin nga kufijt e Grefisë së vjetër e deri në kepat veriore të Adriatikut, do me thanë nëpër krahinat e Shqypnisë së sotme, të Bosnje-hercegovinës dhe të dalmatisë; 2. Maqedhonët qi qenë vendosun në krahinën e Maqedhonisë, e cila zgjatet prej maleve të pindit dhe të Sharit deri në malin e rodopit, Ujin e Zi (Kara Su) dhe në detin Ada, do me thanë nëpër anë të selanikut, Manastirit, Shkupit dhe serezit; 3. Thrakasit, të cilët kishin zanë vend në vilajetin e Adrianopolit dhe ndoshta qenë shtrimë dhe në bregun e djathtë të Tunës; 4. Frygianët, të cilët ndodheshin në kontinentin qi shtrihet prej brigjevet të Anadollit deri në Ankara dhe në Sivas.
Pra, tue mos u trembë se mund të përgënjeshtrohet nga historija dhe tue mos e marrë para syshë se do të më vishet se jam vetë Shqyptar dhe dishiroj të zmadhoj, mund të them me bindje të plotë se kombi Shqyptar dikur ishte nji komb i math qi shtrihej prej trieste deri në Sivas në të dy kontinentet e mëdhenj të Azisë dhe t’Evropës”.

Cilësitë

Shqiptarët, qysh prej kohës që quheshin Ilirë dhe pelazgë, nuk kanë ndërruem moral dhe zakon. Të veçuem nga kombet e qytetnuem, kanë qenë ndamë në fise të vogla. Mbas Strabonit, edhe në ato kohë kanë rrojtun sikurse malësorët e dibrës edhe të Shkodrës sot. Rrojtja e tyne në këtë mënyrë ka shkaktue të ruejnë qoftë gjuhën, qoftë moralin, qoftë doket e tyne.
Shqyptarët janë shtatgjatë dhe kockë-mëdhenj: dallohen nga koka e tyne e madhe dhe nga fytyra e tyne e gjanë, gja qi dëshmon intelegjencën e tyne në mes të dijetarëvet, sikurse Ali Efendiu i Janinës, Hoxha Tahsini. Sa e sa dijetarë të tjerë ka qi janë dijetarë të Universiteteve të Athinës dhe të rromës dhe qi janë nga raca Shqyptare. Edhe Shqyptarët qi gjinden në Greqi dhe n’Itali kanë diftue zotësinë e tyne. Nga krenët e kapedanët qi kanë ndihmue për fitimin e Independencës së Greqisë, shumica janë Shqyptarë, si: Boçari, Xhavella, Kanari, Bulgaris, Bubulina dhe shumë të tjerë. Gjithashtu Shqyptarë janë shumë qi ia zbardhën faqen Garibaldit për unisimin e italisë. Në mes njerëzve qi drejtojnë edhe sot greqinë dhe fllotën e saj, kryesorët janë Shqyptarë. Nga Shqyptarët qi janë n’Itali, kanë mbërrimë shumë qi janë dijetarë, vjershëtarë, shkrimtarë. Mjafton të za me gojë Crispin që drejton sot Italinë dhe Clement-in XI qi asht Papë nga gjak Shqyptari.
Shqyptarët janë shumë të qëndrueshëm në zakonet dhe doket e të parëvet të tyne dhe në mbrojtjen e nderit, dhe sidomos, në fjalën e dhanme qi e quejnë “BESA”. Për të mprojtun racën, fisin, fëmijtë, po edhe nji fjalë të tyne, janë gati kurdoherë të derdhin gjakun. Talljet nuk u pëlqejnë dhe anojnë nga serioziteti. Në të ecun janë shumë të shpejtë dhe kanë gjeste heroike dhe fisnike. Gratë e tyne janë mjaft të bukura dhe shtat-gjata. Ndonëse mbulesës nuk i japin randësi, janë fanatike në ruejtjen e nderit. Gratë Shqyptare janë shumë punëtore dhe shtëpiake; mbrenda janë sovrane dhe independente dhe burrat janë si mysafira. Me gjithë qi janë të fortë në besim, nuk janë fanatikë në ushtrimin e tij. Edhe sot ka nëpër myslimanë disa zakone dhe ceremoni qi kanë mbetun nga të krishtenët si dhe disa të tilla qi kanë mbetun nga feja e vjetër si ndër myslimanë ashtu edhe ndër të krishtenë. Në mes të Shqyptarëve me besime të ndryshme ka harmoni dhe dashuni të plotë.

Gjuha

Ndonëse në gjuhë ndahen në dy pjesë kryesore, në Toskënishte dhe në Gegënishte, asnjana anë nuk e dallon vehten me këta emna. Të gjithë mburren me emnin Shqyptar. Gegët banojnë në veri të Shqypnisë dhe Toskët në Jug. Lumi i Shkumbinit qi kalon nga Elbasani i ndanë. Toskënishtja dhe Gegënishtja dallohen vetëm në dialekt, në shqyptim në dy ekspresione dhe deklinata. Gjuha asht e njajtë dhe te dy palët e kuptojnë njani-tjetrin. Ka disa libra në vjershë dhe në prozë të shkrueme për fenë katolike katër a pesëqind vjet ma parë; gjithashtu ka edhe disa kangë kombëtare qi ruhen qysh prej 5 ose 10 shekujsh, dhe në mes të këtynr dhe të gjuhës Shqype të sotëshme nuk ka asnji dallim”.
Samiu i mbaron njohunitë qi jep për Shqyptarin kështu: “Shqyptarët qi ndodhen në perandorinë Otomane, i kaptojnë dy milion e gjymës. Shqyptarët qi ndodhen në greqi edhe në Itali kaptojnë ma se 500.000”.

SHQYPNIJA

Kjo pjesë përmban Shqypninë e epokës së Sami Frashërit, Shqypninë e Vërtetë. Mbrenda këtij kuadri do të gjejmë të qindisun me nji mjeshtri të madhe nji mozaik qi përfshinë dhe na i paraqet të tana pasunitë kombëtare tue fillue nga kufijt dhe nga amza e popullsisë dhe tue mbarue në pasunitë ekonomike e shoqnore dhe deri te bukuritë e vendit t’onë.
Po e paraqes krejt, veç me ndonji shkurtim të vogël aty-këtu, sepse jo vetëm qi ne të shfaqet fryma e ethnicitetit, porse edhe rrëfen shkallën e dijes qi kishte samiu për Shqypninë. Veç kësaj, por asht edhe e përshkrueme me nji stil të kandshëm, të lehtë, pothuese letrar.
Kur e mbarova, por më duel para syshë Shqypnija e cungueme, e copëtueme dhe qi gjëmon sot e tmerueme ndën nji robni shtypëse. Më kaluen para mendjes bijtë e bijat e saja të shpërndamun në të katër anët e botës dhe psherëtita me mikun t’im ndjesë pastë, Sokolin:

“Ah e mjera Shquyptarija,
Sa në zi ajo ka ra,
E ka mbytun krejt vorfnija,
Fmijt gjithkah ia ka shpërnda!”

Për nga kjo gjendje e mjerueshme nuk do të na shpëtojnë as pshertima as zija. Duhet t’i këndojmë me vëmendje veprat e të parëve t’onë, ta njohim vehtën dhe vendin t’onë, dhe me nji vullnet të patundun, të ecim mbi gjurmat e tyne, për t’a bamë të vërtetë Votrën t’onë, atë Votër qi do të na përfshijë të gjithëvet dhe do të na bajë të zotët të sigurojmë njisinë t’onë kombëtare.

Kufijt

Shqypnija asht nji zonë në Gadishullin e ballkanit, do me thanë në perëndimin e evropës Otomane dhe në bregun linduer të detit të Adriatikut. Me gjatësi shkon nga gjini i Nartës dhe nga kufini i greqisë në kufi të Serbisë, të Bosnjes dhe deri në kufinin e vjetër të malit të Zi. Me gjanësi zgjatet nga brigjet lindore të detnave të Greqisë dhe t’Adriatikut në kufi të Bullgarisë, në shtratin e poshtëm të lumit të vardarit dhe deri në kufinin e ri të Greqisë.
Në shumicën e kartave gjeografike t’Evropës, pjesa e quejtun me emnin “Albanie” nuk tregohet kaqë e gjanë dhe kufizohet nga lindja me vargun e malevet të pindit, të Gramosit e të Sharrit, porse këta kufij nuk mund të quhen si të vërtetë, sepse qytetet e mbetun në anën lindore të Gramosit dhe të Sharrit, si Kosturi, Manastiri, Përlepja, Tetova, Shkupi, Prishtina, si dhe vendet lanë në kohën e fundit serbisë (Vranja, Leskovci dhe kurshumlija) janë thjeshtë Shqyptare.
Me qenë se ky kontinent nuk ka qenë asnjiherë nën nji administratë të unjishme, në caktimin e kufijve të tij nuk duhet të merret para syshë gja tjetër përveç se gjuhës qi flet populli aty, sepse, po u respektue historia, duhet qi, të paktën, Maqedhonija të konsiderohet krejt Shqypni.
Prej jugut në veri asht ndërmjet paralelevet 39 e 43, dhe prej perëndimit në lindje gjindet ndërmjet meridianevet 17 e 20.. Trupin ma të gjanë e ka 5 gradë., do me thanë 1250 kilometra dhe gjanësinë ma të madhe e ka 1000 kilometra. Krejt sipërfaqja asht afër 62.500 kilometra katrore. Ky kontinent asht i kufizuem nga perëndimi me detin e Adriatikut, nga perëndimi juguer me grykën e otrantos dhe me detin grek, nga jugu me gjinin e Nartës, nga jugu linduer me kufinin grek dhe me Thesalinë, nga lindja me Maqedhoninë dhe bullgarinë dhe nga veriu me serbinë, Bosnjen dhe kufijt e Malit të Zi.
Popullsia e krejt Shqypnisë ka afër 2.500.000 frymë.

Malet e Fushat

Shqypnija, përgjithësisht, asht nji vend i naltë dhe maluer; vetëm gjatë brigjevet të Adriatikut ka nji varg fushash të ndame njana me tjetrën me ndonji mal. Ma e madhja e tyne fillon nga Vlona dhe shkon deri në kavajë: asht fusha e Myzeqesë qi zgjatet afër 40 kilometra në breg dhe asht 150 kilometra e gjanë. Asht edhe nji fushë ndopak e gjanë në veri të Durrësit, tokat e së cilës fillojnë nga qyteti i Tiranës dhe shkojnë anës së detit deri në Shkodër e n’Ulqin. Këta vende janë të rrafshta dhe pjellore.
Sa për brigjet e jugut perëndimuer qi quhen Çamëri, këta përbahen nga kodrina të ulëta, klimën e kanë të butë dhe janë të veshuna me ullij, portokalla, limoj.
Shqypnija edhe përmbrenda, në mes të maleve, ka kodrina dhe fusha të nalta dhe si të tilla janë fushat e Janinës, të korrçës, të prespës dhe të manastirit. Në veri të Shqypnisë gjindet nji fushë e madhe, tepër e gjanë dhe pjellore, e cila asht e njoftun me emnin KOSOVË.
Kryesori i maleve qi ndahet nga vargu i Alpeve asht Sharri, i cili zgjatet nga veriu në jugë dhe ma poshtë merr emnin Gramos dhe Pind dhe shkon deri mbrenda në Greqi. Mbas këtij vargu vinë vargjet e maleve të Shkodrës qi shkojnë deri në kufi të malit të Zi. Ky varg përshkon anën veriore të fushës së kosovës dhe mbaron në Vuçitërn.
Veç këtyne dy vargjeve në mes të Sharrit dhe të Adriatikut, ka edhe shumë male të tjerë; ma të mëdhenj të këtyne janë: Polga në perëndim të mirditës; Krraba në mes t’Elbasanit e të Tiranës; Sopoti në jugun linduer t’Elbasanit, Tomorri në anën lindore të beratit. Mu në majën e Tomorrit janë rrënimet e nji faltorje të mbetun nga kohët e lashta. Popullsija besojnë se këta rrënime janë të vorrit të Imam Ali Rizait, prandaj e shikojnë si vend të shejtë dhe nxjerrin kuptime nga fenomenet e natyrës qi ndihen herë hera si ushtima dhe krisma topash.

Lumenjt

Shqypnija ka lumenj të shumët. Ma të mëdhenjt janë Drini dhe Vardari. Drini përbahet nga bashkimi i dy lumenjve: njani i thonë Drini i Zi dhe tjetrit Drini i Bardhë. Drini i Zi del nga liqeni i Ohrit, qi asht në mezin e Shqypnisë dhe rrjeth nga jugu në veri. Drini i bardhë buron nga malet e Pejës dhe rrjeth nga veriu në jug dhe mandej në jug-perëndim. Të dy bashkohen në Lumë, kthehen nga perëndimi, kalojnë pranë qytetit të Leshit dhe derdhën n’Adriatik, në jug të limanit të Shingjinit.
Lumi i Vardarit buron nga kambët e Sharrit, në anën e lindjes, dhe, tue përfshimë jazat e përrojet djathtas e majtas, rrjeth në jugun linduer dhe derdhet në gjinin e selanikut.
Shqypnija ka edhe lumenj të shkallës së dytë. Njani nga këta asht Vjosa qi buron nga mali i Pindit, rrjeth kah veriu perëndimuer dhe derdhet në detin e Adriatikut sipër Vlonës. Tjetri asht lumi i semanit ose Ergjent; ky përbahet nga bashkimi i lumit të beratit qi gurron nga mali i Gramosit, dhe i lumit të devollit, qi del nga kambët veriore po t’atij mali, dhe tue kalue nëpër fushë të Myzeqesë, derdhet n’Adriatik.
Janë mandej lument e shkallës së tretë, qi janë nga jugu në veri: Narta, Lorosi, Vovo, Kalamai, Pavli, Shkumbini, Erzeni, Ishmi, Mati, Kiri dhe Buna.

Liqejt

Në Shqypni ka tre liqej të mëdhenj. Njani nga këta asht liqeni i Shkodrës qi shtrihet nga veriu i Shkodrës deri mbrenda në mal të Zi. Ujnat e tij derdhen në det nëpër lumin e Bunës. I dyti asht liqeni i Ohrit, në jug të qytetit të Ohrit, i treti asht liqeni i Prespës, në jugun linduer të liqenit të Ohrit dhe i ndamun dysh me nji grykë të ngushtë.
Në radhë të dytë vinë: liqeni i Maliqit, i Kosturit, i Ostrovcit, i Janinës dhe Tërbufi i Myzeqesë. Asht edhe nji liqen pak a shumë i math në verin e durrësit; ky dikur ka qenë lima dhe me mbylljen e gojës së tij, sot ka mbetun liqe që mban erë dhe ka ethe.

Bregu

Bregu i Shqypnisë fillon nga gjini i Nartës dhe shkon deri në Ulqin. Asht ma se 500 kilometra i gjatë. Ndonse ka limane natyrore, gjinj dhe hymje e dalje të shumta, pothuese nuk ka ndonji lima të përsosun qi të futet në ‘të dhe të ruhen anijet e mëdha. Me gjithë qi Preveza ka nja dy limane të mbaruem, hymja e gjinit të sajë asht e cekët dhe me shkëmbenj.
Dikur kundrejt qytetit të Korfuzit ka pasun nji qytet me nji lima të bukur me emnin Butrinto, por sot goja e tij asht e mbyllun dhe përdoret si daljan, kurse qyteti asht rrënue. Edhe limani i gjanë dhe i përsosun i Durrësit, tue pas qenë mbyllun për t’u premë udhën Venedikasvet, sot përmban nji moçal.
Sot nga limanet ma të mirë qi ka Shqypnija janë: limani i quejtun Morto, përballë pjesës jugore të ishullit të Korfuzit, dhe Pasha-limani në jug të skelës së Vlonës. Ndonëse avulloret afrohen edhe në skelet e sarandës, Vlonës, Durrësit dhe Shingjinit, këta nuk kanë ende limane. Janë edhe disa skele, si Parga, Sijada dhe Palermoja, qi preken nga barkat e vogla dhe me vela.
Nga Shqyptarët qi merren me lundrim, kryesorët janë Ulqinakët. Këta, përveç qi kanë kapedana të zotët, kanë edhe anije të mëdha me vela. Lundrojnë në çdo anë të detit të bardhë, dalin n’Oqeanin e Atlantikut dhe shkojnë deri n’Angli. Kanë afro 100 anije. Edhe popullsija e bregut të Himarës punojnë mjeshtërinë e lundrimit dhe kanë disa barka të vogla me vela. Edhe në Pargë janë disa barka me vela qi janë pasunija e vendit.

Qytetet

Qytetet e Shqypnisë në shkallën e parë janë: Shkodra, Prizreni, Manastiri dhe Janina. Secili nga këta ka ma se 30.000 banorë.
Të shkallës së dytë janë: Peja, Jakova, Prishtina, Shkupi, Tetova, Dibra, Tirana, Elbasani, Korça, Koturri, Gjinokastra dhe Preveza me nga 10.000-20.000 banorë secili.
Ma me randësi nga qytetet e shkallës së tretë janë Leshi, Gucija, Plava, Mitrovica, Kumanova, Gostivari, Qyprylija, Përlepja, Resna, Kruja, Durrësi, Kavaja, Vlona, Tepelena, Përmeti, Delvina, Konica, Meçova, Filati, Ajdonati, Margelleçi dhe Parga, me ma së 3.000 banorë secili.
Kontinenti I Shqypnisë ndahet në dy pjesë. Pjesa nga veriu I Shkumbinit quhet Gegëni, ajo nga jugu I atij lumi quhet Toskëni. Gegënija përfshinë Shkodrën, Jakovën, Pejën, Prizrenin, Lumën, Malsinë e Dibrës së Sipërme dhe të Poshtme, Dukagjinin, Mirditën dhe Matin. Toskënija përfshin Myzeqenë, Lapin, Çamërinë, vet Toskëninë, Mallakastrën, Tomoricën, Skraparin, Deshnicën, Dangëllinë, Oparin, Kolonjën, Devollin, Naseliçin, Zagorinë, Korendën, Sulin e të tjera.

div.meta-author { display:none; }