
30/11/2021 11:44
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paraparë për sot, është anuluar.
Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka thënë që kjo mbledhje është anuluar për shkak të kuorumit.
“Nuk ka kuorum dhe në mungesë nuk ka ndodhur takimi. Për ne është e papranueshme që kryesia të jetë kaq jofunksionale dhe është e domosdoshme që këtë qasje ta ndryshojmë”, u shpreh ai.
Ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se mazhoranca ka hyrë në një krizë të thellë, e cila sipas tij po reflektohet me dështime të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë.
“Mazhoranca i ka dy drejtime, ose ta kthejë mandatin te populli ose të qeverisë. I bëjmë thirrje mazhorancës që e kanë marrë mandatin të kthehen, të jenë më të ndërgjegjshëm me mandatin dhe ta tejkalojmë krizën”, tha ai.