
Rezoluta përmban 28 pika në të cilat flitet për zhvillimet e fundit politike dhe procesin e dialogut. PE-ja e dënon në formë të fuqishme këtë agresion.
“U bëhet thirrje të gjitha shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë një gjë të tillë deri tani që të dënojnë gjithashtu sulmin. Shprehet keqardhje e thellë për viktimat dhe i shprehet ngushëllime familjes, kolegëve dhe më të dashurve të Afrim Bunjakut. Lavdërohet bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, EULEX-in dhe KFOR-in në përgjigjen e saj ndaj sulmit”.
Më tej, kërkohet që të punohet të gjitha palët për depërshkallëzim të situatës në veri. U kërkohet shteteve të BE-së që të vendosin masa ndaj Serbisë nëse vërtetohet se qëndron pas agresionit të Serbisë.
“I bëhet ftesë Komisionit Evropian dhe Këshillit që të ndërmarrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë apo edhe sulmet e dhunshme që ndodhën në veri të Kosovës në maj të vitit 2023, ose nëse autoritetet e Serbisë nuk do të tregojnë vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve. I bëhet thirrje Komisionit, në këtë kontekst, të ngrijë fondet e dhëna Serbisë sipas Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit III, nëse gjetjet e hetimit tregojnë se shteti serb ishte i përfshirë drejtpërdrejt në këto sulme. Ftohet Këshilli që të miratojë masave të shënjestruara restriktive, përfshirë por jo edhe të kufizuara, ngrirjen e pasurisë dhe ndalimin e udhëtimeve për aktorët destabilizues në veri të Kosovës dhe liderët e rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Në këtë kontekst, ftojmë Këshillin që të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e masave të shënjestruara kundër Millan Radoiçiqit”, thuhet në rezolutë, njofton Klankosova.tv.
Po ashtu, dënohet fuqishëm rritja e numrit të ushtarëve të ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën: “Kërkohet nga Serbia që të përmbahet nga mbështetja e çfarëdo grupi terrorist në veri të Kosovës në të ardhmen. I bëhet thirrje Serbisë që në të ardhmen të përmbahet nga ky model i përsëritur i përshkallëzimit dhe të sillet plotësisht në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës. I bëhet thirrje Serbisë të shtojë përpjekjet e saj për të de-përshkallëzuar tensionet e shkaktuara nga vendosja e ushtrisë së saj”.