
11/05/2022. 22:32
Ish-shefi i stafit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, ka thënë se fakti që të akuzuarit nga Specialja dhe mbrojtja e tyre nuk i kanë krejt detajet e aktakuzës e vështirëson punën e ekipit mbrojtës në këtë proces.
“Kjo e komplikon tej mase aftësinë dhe mundësitë e ekipit mbrojtës për t’u përgatitur për gjykim të drejtë në këtë proces që është tepër i komplikuar. Më thelbësore te zgjerimi i aktakuzës është pse aktakuza është e kësaj natyre që është, pse është kaq e zgjeruar dhe pse mbetet e redaktuar në masë kaq të madhe dhe cila është tendenca e Prokurorisë së paku deri në këtë fazë. Çka është më shqetësuese për Kosovën dhe trashëgiminë tonë më të re nga i gjithë ky rast?”.
Çcollaku, në “Rubikon” të Klan Kosovës, deklaroi se do të mund të ketë edhe qindra të akuzuar të tjerë, sepse sipas aktakuzës i bie që të gjithë pjesëtarët e UÇK-së janë pjesëtarë “të organizatës së përbashkët kriminale” [siç cilësohet UÇK-ja në aktakuzat e ngritura në Dhomat e Specalizuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së].
“Pavarësisht sa do të mund të zgjerohet kjo aktakuzë deri në fund të këtij procesi, sepse secili që e ka lexuar aktakuzën fillestare është i vetëdijshëm se mund të ketë zgjerime të mëtutjeshme dhe të akuzuar të tjerë, sepse aktakuza fillestare i cilëson të akuzuarit aktualë, ish-liderët e UÇK-së dhe shtetërorë, si pjesëmarrës të ‘një organizate të përbashkët kriminale’. Përveç këtyre në paragrafin 32 deri në paragrafin 35 përmenden me dhjetëra pozicione të tjera dhe dhjetëra individë të tjerë të cilët po ashtu kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së dhe po ashtu pjesëtarë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës të cilët cilësohen si pjesëtarë të kësaj ‘ndërmarrje të përbashkët kriminale’”.
“Në këtë aktakuzë kaq voluminoze që siç e kanë cilësuar avokatët është trefish më e madhe krahasuar me aktakuzat që i janë bërë Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit, bëhet fjalë për një proces i cili mund të ketë me dhjetëra, për të mos thënë me qindra të akuzuar të tjerë, sepse nga kjo pikëpamje nëse e lexojmë aktakuzën të gjithë pjesëtarët e UÇK-së dhe anëtarët dhe pjesëtarët e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës e cila asnjëherë s’ka pasë funksion ekzekutiv, cilësohen si pjesëtarë të ‘organizatës së përbashkët kriminale’ të cilët me vetëdije ose pa vetëdije kanë lejuar që krimet e tilla, për të cilat akuzohen të akuzuarit që janë aktualisht në paraburgim, mbahen përgjegjës”.