
Çmimet e druve në Kosovë kanë shënuar një ngritje në krahasim me muajt e kaluar për shkak të sezonit të dimrit. Aktualisht, një metër dru kushton prej 70 deri 80 euro. Rritje të çmimi ka pësuar edhe buka, nga 50 në 60 cent. Kurse, një ton pelet ka shkuar në mbi 500 euro, nga 200 sa ishte më herët.
Rritjes enorme të çmimeve të artikujve ushqimorë në Kosovë nuk i ka shpëtuar as buka. Nga java e kaluar qytetarët e komunës së Fushë Kosovës bukën e blejnë 60 centë. Derisa në qytetet e tjera të Kosovës buka është shtrenjtuar edhe muaj më parë. Kjo është hera e dytë që po ngritët çmimi i bukës brenda një viti.
“Është shumë shtrenjtë. Tash me i marr tri bukë dhe me i peshua nuk janë as një kilogramë. Një kilogram bukë po i bie që po kushton rreth dy euro është shumë, kurse unë i marr vetëm 100 euro pension. Kjo nuk është në rregull”, ka thënë një qytetar, duke bërë thirrje se qytetarët e Kosovës të hanë më pak bukë.
Përveç bukës tashmë rritje të lartë të çmimit ka edhe tek drutë për ngrohje. Qytetarët të cilët konsiderojnë se ngrohja me dru është e vetmja mënyrë për të përballuar temperaturat e ulëta gjatë dimrit, thonë se çmimi është i lartë dhe i papërballueshëm për ata, por megjithatë duhet të bëjnë ndonjë zgjidhje dhe t’i marrin ato.
“Akoma nuk kemi blerë dru. Shtrenjtë po shkojnë 70 a 80 euro metra, kush punon prapë diçka bënë, por për ata që janë me social, shtrenjtë. Vitin e kaluar ka qenë çmimi i druve 30 euro, tash 60 është bërë”.