
09\04\2022 16:31
Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, ka thënë se vizita e ambasadorit serb, Marko Gjuriq, në Shtëpinë e Bardhë nuk duhet parë me shumë shqetësim.
Më brengosëse sesa kjo, sipas saj, është fakti se bartësit e institucioneve në Kosovë ende s’e kanë takuar asnjë zyrtar të lartë amerikan.
“Ajo çfarë duhet të na brengosë është fakti se tani e më shumë se 1 vit, bartësit e institucioneve të Kosovës nuk kanë takuar as Sekretarin e Shtetit, as Sekretarin e Mbrojtjes. Për takime në Shtëpi të Bardhë as mos të flasim. Aleancat janë po aq të rëndësishme sa sovraniteti”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Ish-diplomatja kosovare tha se vizita e Gjuriqit në Shtëpi të Bardhë është vizitë protokollare e ambasadorëve të akredituar në ShBA.
Çitaku u shpreh e bindur se një vizitë të tillë në Shtëpinë e Bardhë e ka bërë ose do ta bëjë edhe ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Për shkak të Pandemisë, Shtëpia e Bardhë i ka pasë suspenduar ceremonitë protokolare të prezentimit të kredencialeve për Ambasadorët e rinjë. Para 4 ditësh, Protokoli i Shtëpisë së Bardhë ka njoftuar se do të ftojë në grupe Ambasadorët e akredituar në SHBA në dy vitet e fundit. Se Ambadadori i Serbisë merr pjesë në një ceremoni protokolare nuk duhet të përbëjë shqetësim. Jam e bindur se edhe Ambasadori i Kosovës (nëse nuk ka qenë në të njejtin grup ) shumë shpejtë do të jetë pjesë e ceremonisë së njejtë”.