
24/06/2022. 12:24
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, i është kundërpërgjigjur zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili mbrëmë në një debat televiziv ka arsyetuar ndryshimin e qëndrimeve të partisë së tij për marrëveshjen për energjinë që është nënshkruar në Bruksel me Serbinë.
Bislimi madje i ka quajtur injorantë ata që nuk i ndryshojnë qëndrimet, kur ndryshojnë rrethanat.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Çitaku, duke i thënë Bislimit se faktet ishin të njëjta edhe në vitin 2015.
Sipas Çitakut, i vetmi ndryshim është që atë kohë Vetëvendosje ishte në opozitë, ndërsa sot në qeveri.
“Zëvendëskryeministër Bislimi, qëndrimet ndryshojnë kur ndryshojnë faktet. E faktet në marrëveshjen e energjisë janë të njëjta si më 2015, si sot. E vetmja gjë që ka ndryshuar është statusi i juaj, atëherë keni qenë në opozitë, sot jeni në qeveri”, ka shkruar Çitaku në llogarinë e vet në “Facebook”.