
04/08/2022. 21:11
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka shprehur habinë me Qeverinë e Albin Kurtit e cila sipas saj, po vazhdon të heshtë karshi veprimeve destruktive të Listës Serbe dhe qëndrimit komod të Goran Rakiq në kabinetin e Kurtit.
Çitaku ka shkruar në faqen e saj në facebook se është e pakutimtë të pyetet opozita se a do ta rrëzonte qeverinë aktuale me votat e deputetëve të Listës Serbe, duke theksuar se kjo listë ndodhet në bashkëqeverisje me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen.
“Paradoks tipik kosovar – po na pyesin neve opozitën ‘A bashkëpunoni me Listen Serbe për rrëzimin e qeverisë Kurti?’, ndërkohë që Lista Serbe e Goran Rakiq si kryetar i saj janë pjesë e Qeverisë Kurti. Kryeministri Kurti ka shkarkuar ministra shqiptarë për një fjalë goje, e Rakiqi është aty, në qeverinë e tij”, tha Çitaku.
“Çështja nuk është a do të bashkëpunojë opozita me LS, sepse një bashkëpunim i tillë nuk është në plan, çështja është pse Rakiq është ende në qeveri!”, ka shkruar Çitaku.