
28/04/2022. 22:46
Presidentja Osmani takoi liderin e shumicës parlamentare, dhe krerët e komisioneve për marrëdhënie me jashtë dhe punë të brendshme në Senatin amerikan
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të enjte ka takuar liderin e shumicës parlamentare në Senatin e ShBA-së, Senatorin Chuck Schumer, kryetarin e komisionit për marrëdhënie me jashtë në Senat, Senatorin Bon Menedez dhe kryetarin e komisionit për punë të brendshme dhe çështje qeveritare ne Senat, Senatorin Gary Peters.
Gjatë takimit me Senatorin Schumer, Osmani diskutoi për rritjen e bashkëpunimit mes Kosovës e ShBA-së.
“Presidentja Osmani falënderoi Senatorin Schumer për kontributin e tij të deritanishëm ndaj Kosovës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan duke potencuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes amerikane për Kosovën në këtë kohë sfiduese për kontinentin tonë”, thuhet në komunikatën e presidencës, transmeton Klankosova.tv.
Ndërsa, në takim me kryetarin e komisionit për marrëdhënie me jashtë në Senatin Amerikan, Osmani me Menedez folën për situatën e krijuar në rajonin e Ballkanit pas agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainë.
Sipas Osmanit, në rajon Rusia ka interesim të vazhdueshëm edhe nga aleati i saj, Serbia, që të minohen të arriturat e popullit të Kosovës dhe të arriturat amerikane në vend.
“Presidentja Osmani dhe Senatori Menendez, po ashtu diskutuam për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona në fusha të ndryshme si dhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thuhet tutje.
Kurse, në takim me Senatorin Gary Peters, Osmani diskutoi për rëndësinë e mbështetjes amerikane në kohën kur rajoni i Ballkanit po përballet me sfida të krijuara nga siç i quajti ajo, satelitët e Rusisë, dhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO si dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Kujtojmë se presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, janë duke qëndruar në ShBA, me ftesë të familjes Albright, ku morën pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright.