
23\03\2022 14:04
Qeveria sot, me kërkesë të ministrisë së Punëve të Jashtme, e ka miratuar vendimin për zgjerim të sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.
Por çka përfshijnë sanksionet, që vijnë si përgjigje e kundërshtimit të agresionit rus në Ukrainë, që janë në një linjë me ato të BE-së?
Këto sanksione të zgjeruara përfshijnë ngrirje të aseteve të bankave, institucioneve financiare dhe individëve dhe ndalimin e qasjes së tyre në tregjet financiare.
Po ashtu ndalohet transmetimi i mediave propaganduese dhe materialeve të ndryshme që mund të përdoren për makinerinë e luftës, si dhe ka restriksione ndaj Bjellorusisë për ndalimin e mundësisë së importeve të mallrave teknologjike si kundërpërgjigje e mbështetjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, derisa përfshihen edhe masa tjera restriktive që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe akterët politikë të përfshirë në invazionin rus në Ukrainë.
Individët gjithashtu do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit apo tranzitit në vende që i zbatojnë këto sanksione.
Në deklaratën e ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se marrja e një vendimi të tillë do të kontribuonte në vazhdimësinë e bashkëpunimit të ngushtë me ShBA-të, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë “në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta demokratike dhe në ruajtjen e plotë të zbatueshmërisë së ligjeve dhe konventave evropiane dhe ndërkombëtare në Kosovë, duke pasur parasysh kushtetutshmërinë dhe bazën ligjore të Kosovës, veçanërisht Ligjin për Zbatimin e Sanksioneve Ndërkombëtare”.
Qeveria e Kosovës ka thënë se do të vazhdojë të rreshtohet me partnerët ndërkombëtarë në zbatimin e masave dhe sanksioneve të reja, përfshirë pakon e katërt të sanksioneve të BE-së, që konsiston në masa restriktive tregtare, ekonomike, financiare, energjetike, industri të mbrojtjes si dhe ndaj individëve dhe entiteteve shtesë.
Këshilli i Bashkimit Evropian me datë 25, 28 shkurt, 1, 2 dhe 9 mars 2022 ka marrë vendim për masa të reja kufizuese dhe zgjerimin e listës me persona juridikë dhe fizikë. Në këto masa, është përfshirë dhe Bjellorusia, për të cilën masat kufizuese aplikohen për zhvillimet e brendshme dhe rolin aktiv në cenim të integritetit territorial të Ukrainës.