News That Matters

Çeku: Restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës duhet të përfundojë

09/02/2022 15:15
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka deklaruar se nuk janë zmbrapsur nga plani për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, politikanit që gati 44 vjet pas vdekjes ka marrë vëmendjen me ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde, i cili ka shprehur shqetësimin se Kosova kësisoj e shtrembëron të vërtetën mbi holokaustin, gjenocidin e Gjermanisë naziste mbi hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Çeku ka thënë se është në kontakt të përditshëm me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë ambasadorin gjerman, duke theksuar se ky projekt duhet të kryhet. Ai ka thënë se ambasadorit dhe të tjerëve ua ka dhënë sqarimet e nevojshme.

“Ne kemi nevojë ta përfundojmë këtë punë të nisur qysh vite më parë. Po restaurohet monumenti, nuk po rehabilitohet historia e Xhafer Devës. Pra, nuk po bëjmë asgjë, përveçse po e restaurojmë një monument, po e mbrojmë trashëgiminë tonë kulturore”, ka thënë ai.

Bashkimi Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) kanë bërë me dije të martën se është pezulluar projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë të Jugut, por ministri Çeku ka thënë se “pezullimi nuk nënkupton se është anuluar programi”.

“Fillimisht, në lidhje me një dimension të këtij debati, duhet ta themi qartë dhe ta përsërisim që populli shqiptar ka dhënë dëshmi të panumërta historike të angazhimit antifashist dhe angazhimit në mbrojtje dhe në shpëtim të popullsisë hebreje. Debati i ditëve të fundit e ka origjinën në Serbi dhe kjo shumë e qartë. Paradoksalisht, një shtet që mohimin e gjenocidit dhe rehabilitimin e kriminelëve e ka politikë shtetërore, tenton ta fabrikojë një narracion duke e portretizuar Kosovën si mohuese të Holokaustit. Ky është një narracion i gënjeshtërt, sepse faktet historike janë kokëforta dhe nuk janë në anën e Serbisë, qartësisht nuk janë në anën e historisë”, ka thënë ai.

Objekti që mban emrin “shtëpia e Xhafer Devës”, Çeku ka thënë se është estetikisht shumë i rëndësishëm, që e ka shënuar arkitekturën e re të Kosovës.

Pas restaurimit, Çeku ka thënë se aty do të vendoset qendra rajonale e trashëgimisë kulturore në Mitrovicë dhe do të shërbejë për aktivitete muzeale, galeri arti e qendër dokumentimi.

div.meta-author { display:none; }