
07/12/2021 18:34
Shef i Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka kërkuar që të vazhdojë procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai, gjatë konferencës me kryeministrin Albin Kurti, ka kërkuar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që burojnë nga ky proces, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
“Jam demokrat dhe nuk jam këtu për të shërbyer për ndonjë politikan. Dialogu është i vetmi forum për të zgjidhur çështjet e hapura. Nuk pajtohem me ju kur thoni se Gjykata Kushtetuese e bën të pamundur implementimin e marrëveshjes për asociacionin, e cila është lidhur nga përfaqësuesit e të dyja palëve”, është shprehur Borrell.
“Më vjen keq, kryeministër, por duhet t’ju kërkoj që ta implementoni këtë marrëveshje”.
“Krijimi i asociacionit është pjesë e marrëveshjes së Brukselit, është e lidhur në mirëbesim nga palët dhe sigurisht që presim që të gjitha marrëveshjet të zbatohen nga të dyja palët”.
Me këtë rast, Kurti ka thënë se kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me 23 pika, e ka hedhur poshtë këtë çështje, ka qenë Beogradi që ka reaguar dhe jo serbët e Kosovës.