
16/05/2022. 23:05
Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evorpian, Josep Borell, ka thënë se BE-ja vazhdon ta mbështesë liberalizimin e vizave për Kosovën.
Këto komente i bëri pas një darke joformale mes tij dhe ministrave të Punëve të Jashtme të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Kishte po ashtu shumë thirrje për liberalizim të vizave për Kosovën. Komisioni, unë jam po ashtu nënkryetar i Komisionit ia ka prezantuar disa herë Këshillit një propozim një opinion, duke argumentuar që Kosova i përmbush të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Ka liberalizim të vizave për Ukrainën prej shumë kohësh. Ne vazhdojmë që ta mbështesim liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë Borell në konferencë për medie.
Borelli tha se ndonëse veç e veç pala kosovare dhe ajo serbe pajtohen, kur ulen bashkë në tavolinë, vështirë se ndodh ndonjë progres.
“Ne sigurisht folëm për dialogun Beograd-Prishtinë dhe ministrat shprehën respektin dhe zbatimin e plotë të gjitha marrëveshjeve të mëparshme e që nuk qëndron, dhe ta vazhdojnë dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian”.
“Na duhet angazhim konstruktiv dhe progres i shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”.
“Secila pajtohet me këtë nga ana e tyre, por kur ulen bashkë, është e vështirë që të avancohet. Ne duhet të krijojmë besim. Është thelbësore për ta përmirësuar atmosferën në dialog”.
Borelli paralajmëroi një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit serb, Alexandar Vuçiq, para fillimit të verës.
“Të angazhohemi në veprimet që krijojnë besim, duke i shmangur hapat e njëanshëm, dhe shpresoj që para verës ta mbajmë një takim tjetër në nivelin më të lartë politik midis kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, mirëpo ende po punohet për këtë”.