
17/01/2022 19:30
Më 12 janar 2022 mbylli sytë në një paqe të amshueshme në vendlindjen e tij (Shupkofc) Beqir Z, Mehmeti, inxhinier dhe ekspert i xehetarisë e gjeologjisë, udhëheqës i Minierës “Trepça” në Stanterg, sektori i prodhimit, profesori shumëvjeçar në Universitetin e Prishtinës, trasmeton “Radio-Ylberi”
Shumë suksese të “Trepçës” dhe të Fakultetit të Xehetarisë-Gjeologjisë në Mitrovicë janë të lidhura me emrin e tij.
Beqir Z, Mehmeti lindi më 28 prill 1939, në fshatin Shupkofc të Mitrovicës. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Mitrovicë, kurse Fakultetin e Xehetarisë-Gjeologjisë në Universitetin e Beogradit – drejtimi: Eksploatimi i Xeheve Minerale. Për t’i thelluar e zgjeruar njohuritë vazhdoi studimet pasuniversitare në Fakultetin e Xehetarisë-Gjeologjisë në Universitetin e Beogradit dhe i mbaroi me sukses, duke marrë gradën shkencore “Magjistër i Shkencave të Xehetarisë” në dhjetor të vitit 1975. Ai pati mbrojtur me sukses temën “Korelacija laboratoriski rezultata ispitivanje ćvrstoče na pritisak pri jednosmerne operacije na pravilnim i nepravilnim uzrocima za material krečnjaka” (“Korelacioni i rezultateve laboratorike të hulumtimit të fortësisë në shtypje gjatë ngarkesës njëboshtore në mostrat e materialit të rregullt dhe të parregullt”). Ing. Mr. Beqir Mehmeti e vazhdoi punën shkencore në Fakultetin e Xehetarisë-Gjeologjisë në Tuzull dhe, në dhjetor të vitit 1984, mbrojti temën e doktoratës: “Doprinos diomenzioniranju visokih sigurnosti stubova kvadratnog poprečnog prosjeka sa primenom na stubove generalnog rudarskog tjela trepčanskog ležishte” (“Kontribut në dimensionimin të shtyllave të larta të sigurisë në prerje katrore-tërthore në përdorimin mbi shtyllat qendrore të masës së xehes së basenit të Trepçës”), duke marrë titullin “Doktor i Shkencave të Xehetarisë”.
Dr. Beqir Mehmeti ka filluar karrierën në vitin 1967 si inxhinier në Minierën “Trepça” të Stantergt. Ka qenë njëri ndër inxhinierët e parë shqiptarë dhe ka punuar 28 vjet me përkushtim shumë të madh, duke filluar si inxhinier përgjegjës e deri tek pozita e drejtorit. Është angazhuar si bashkëpunëtor në Shkollën e Lartë Teknike në Mitrovicë e më vonë si bashkëpunëtor në Fakultetin e Xehetarisë-Metalurgjisë në Mitrovicë, ku është zgjedhur edhe docent i teknologjisë së materialit në xehetari dhe i mekanikës së bazës dhe shkëmbinjve. Ka udhëhequr shumë studentë në tema të magjistraturës dhe doktoratës dhe për këtë punë është nderuar nga UP dy herë me mirënjohje.
*Nga Fazli Hajrizi