News That Matters

Biden uron Osmanin për Pavarësinë e Kosovës

15\02\2022 18:59
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i ka shkruar letër urimi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, ku ka vlerësuar lartë të arriturat e Kosovës duke theksuar se Kosova ka vend të veçantë në zemrën e familjes së tij.

Përmes kësaj letre, Biden po ashtu ka bërë të ditur se janë të kënaqur që Kosova po ndërton dhe forcon marrëdhëniet pozitive me fqinjët.

Biden ka thënë se do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në përpjekjet për një marrëveshje me Serbinë që përfundon me njohje reciproke.

“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë ta mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke”, thekson në letër Biden.

Presidenti amerikan ka theksuar po ashtu që Kosova ka dëshmuar lidership në skenën ndërkombëtare.

“Vitin e kaluar, Kosova vazhdimisht demonstroi lidership në skenën ndërkombëtare. Nga ofrimi i strehimit të sigurt për të pambrojturit deri te forcimi i sigurisë globale dhe bashkëvendosja përkrahë ushtrisë amerikane në Kuvajt, populli I Kosovës i ka dëshmuar botës trimërinë dhe bujarinë e tij”, shkruan tutje Biden.

Në fund ai po ashtu ka theksuar se në zemrat e familjes së tij, Kosova ka një vend të veçantë.

Po ashtu, ka falënderuar për medaljen presidenciale të ndarë post-mortem për djalin e tij, Beau vitin e kaluar.

div.meta-author { display:none; }