
13/11/2021 21:01
Teatri Kombëtar i Kosovës ka bërë të ditur se shfaqja “Aroma e Hënës” me regji të Rozi Kostanit të martën do të ketë premierën.
Në njoftimin e TKK-së thuhet se drama “Aroma e Hënës” është me tre akte dhe epilog, pjesa e fundit e trilogjisë së “Hëna prej Letre” e autorit Mehmet Kraja.
“Dramë provokative e ditëve tona, filozofike dhe surealiste e cila ngre teza të fuqishme ekzistenciale, social-politike e politiko-mediale. Autori Kraja na përballë me pikëpyetje ekzistenciale të së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes (e cila nuk ka ardhur ende por me gjasë do t’i ndryshojë disa gjëra), duke i ballafaquar personazhet në raporte sa sociale aq edhe filozofike. Perceptimi i të shkuarës shpresë madhe luftës, dhe pas lufte… kush jemi ne…, ku jemi… a ka ardhur liria…, demokracia në këtë vend çfarë është, dhe në fund, a jemi të lumtur?! Apo, Liria është një shpikje e pamundur! Kjo përçarje për të kuptuar këtë kaos shpirtëror e mendor i zhvillon karakteret drejt një konflikti dramatik të përshkallëzuar dhe duke mos gjetur rrugëdalje ata shkojnë drejtë fatalitetit”, thuhet në njoftim.