
02/10/2021 12:32
Në raportimin para deputetëve në Komisionin për Punë të Jashtme, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se Kosova është në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të parë mundësitë se në çfarë fazash mund të bëhet obligimi ushtarak për qytetarët e vendit në të ardhmen.
Mehaj u shpreh se përkohësisht plani është i hartuar për ushtri profesionale.
“Besoj se është ëndërr e çdo qytetari të Kosovës që të kemi ushtri të mirëfilltë, po të jetë edhe mundësia që çdo individ të shërbejë në Ushtrinë. Përkohësisht plani është i hartuar për ushtri profesionale, por ne jemi në koordinim me partnerë për të parë mundësitë se në çfarë faza e mundësish mund të bëhet obligative ushtria në të ardhmen”.
“Duhet të marrim plane konkrete edhe të shteteve tjera, si ato shtetet baltike që kanë kaluar të njëjtat faza e me kërcënime nga Rusia, siç ne kemi nga Serbia. Jemi në koordinim, por me më rëndësi është të ceket që çdo veprim merret në koordinim me SHBA-në për benefite të Kosovës”, deklaroi Mehaj.
“Për 400 pozitat që kishin hapur në konkursin e kaluar të FSK-së kishin aplikuar mbi 6000 qytetarë, ndërsa deri tani në konkursin, i cili vazhdon të jetë i hapur për 840 rekrutë, kanë aplikuar mbi 1100 qytetarë, ku prej tyre 100 janë gra, ndërsa shtoi se objektiva kryesore e tij është që të shtojë numrin e përfaqësimit të grave në FSK”, tha Mehaj.
Tutje u shpreh se FSK-ja ka bërë disa trajnime në bashkëpunim me NATO-n dhe gjitha këto aktivitete.
E këto sipas tij, japin shumë për sigurinë e rrugës në anëtarësimin e NATO-s.
“Aktualisht kemi 127 pjesëtarë që po bëjnë trajnime e shkollime jashtë vendit. Prej tyre 47 kadetë. Vendet ku po shkojnë janë ShBA, Gjermani, Kroaci, Shqipëri, Turqi, Maqedoni e Veriut etj”, ka thënë ministri