
31/05/2022. 14:21
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka dhënë fund krejt spekulimeve nëse kryeministri Albin Kurti ka qenë në Shtëpinë e Bardhë ose jo gjatë vizitës në ShBA.
Madje, ai thotë se ka pasë raportime të pasakta për vendin ku u zhvillua takimi mes shefit të qeverisë kosovare dhe Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të presidentit amerikan.
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë thotë se objekti i Zyrës Ekzekutive të Eisenhower, ku ndodhi takimi Kurti-Sullivan, është pjesë e Shtëpisë së Bardhë dhe se aty mbahen takime të nivelit të lartë.
“U befasova kur pashë disa raportime të pasakta dhe çorientuese në mediat lokale në lidhje me vendndodhjen e takimit të kryeministrit Albin Kurti dhe Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Biden, Jake Sullivan”.
“Ndërtesa e Zyrës Ekzekutive të Eisenhower është pjesë e Shtëpisë së Bardhë. Takimet komplekse dhe të nivelit të lartë, duke përfshirë Presidentin, Zëvendëspresidentin dhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare, mbahen rregullisht atje”, ka shkruar ai në Twitter.
Madje, ai e ka marrë edhe një shembull kur thotë se ish-zëvendëspresidenti amerikan, tash president, Joe Biden ishte takuar në këtë objekt me kryeministrin e atëhershëm Hashim Thaçi.
“Një shembull: në vitin 2010 unë isha i pranishëm në takimin mes atëherë zëvendëspresidentit Joe Biden dhe atëherë kryeministrit Hashim Thaçi në ndërtesën e Zyrës Ekzekutive të Eisenhower”.
Opozita e ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti se në ShBA nuk pati vizita të rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë, në ndërkohë që vetë Kurti – pas kthimit në Kosovë – tha se me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të ShBA-së, Jake Sullivan, është takuar në ambientet e Shtëpisë së Bardhë.