News That Matters

AGK-ja dënon sulmet ndaj gazetarëve në Shqipëri

15/12/2021 17:44

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga organet e rendit në Shqipëri që të trajtojnë me prioritet sulmet ndaj gazetarëve, që kanë ndodhur atje javën e fundit.

Në njoftimin e lëshuar nga AGK-ja, thuhet se solidarizohen me komunitetin e gazetarëve nga Shqipëria, në kohë kur sulmet dhe pengimi për të kryer punën e tyre ka shënuar rritje shqetësuese.

“Vetëm në javën e fundit, dy gazetare të Fax News kanë qenë cak i sulmeve. Gazetarja Besarta Demushaj është kërcënuar dhe sulmuar nga një biznesmen dhe shoqëruesi i tij, kurse një ekip televiziv është penguar nga punëtorët bashkiakë të raportojnë nga një protestë e banorëve në Vorë. AGK-ja pret që këto raste do të trajtohen me prioritet nga organet e rendit në Shqipëri”.

“Ndërkohë, një tjetër zhvillim shqetësues është vendimi i KLP-së që, nëpërmjet formës së akreditimit, tenton të censurojë gazetarët dhe mediat. Një formë e tillë e censurimit ua mohon qytetarëve të njohtohen me punën dhe vendimet e një organi shumë të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare. AGK-ja mbështet plotësisht të gjithë ata që ngrenë zërin për një ambient më të sigurt të raportimit,” thuhet në njoftimin e AGK-së.

Për sulmet ndaj gazetarëve në Shqipëri ka reaguar edhe juristja e mediave, Flutura Kusari, e cila ka thënë se sulmet ndaj Besmira Demushaj dhe Jonida Omerit janë vazhdimësi e shtypjes që iu bëhet gazetarëve.

“Këto sulme ndodhin për shkak të gjuhës së ashpër të politikanëve të Shqipërisë që portretizojnë gazetarët si armiq të popullit dhe për shkak se krimet ndaj gazetarëve nuk zbulohen kurrën e kurrës”.

“Këto shkelje do të dokumentohen në Mapping Media Freedom dhe sigurisht që do të alarmohen partnerët ndërkombëtarë. Një shtet që aspiron hyrjen në BE nuk guxon të motivojë, lejojë dhe legjitimojë dhunën ndaj gazetarëve,” ka shkruar Kusari në rrjetin social Facebook.

div.meta-author { display:none; }