
“Një zgjidhje e tillë, edhe pa njohje, me anëtarësim në OKB, është pozitive në themel”
Shqetësimet në veri të vendit janë duke u rritur. Serbia po vazhdon me provokime, përveç me thirrje kërcënuese ndaj Kosovës, edhe me organizimin e lëvizjeve kriminale në veri.
Situata në mes të Kosovës dhe Serbisë në mungesë të një marrëveshje finale ende për shkak të mos pranimit të realitetit nga Serbia, vazhdon të shkojë drejt shqetësimeve.
Trysnia ndërkombëtare për një marrëveshje, dhe për t’i vazhduar bisedimet dypalëshe është duke u rritur gjithnjë e më shumë.
E së fundmi është Janusz Bugajski, eksperti për Ballkanin nga Qendra për Analiza të Politikës Evropiane (CEPA) që kërkon nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos e shtyjnë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai i tha ambasadorit gjerman në Kosovë, Joern Rohde se sa më shumë që shtyhet njohja reciproke, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq aq më shumë do ta destabilizojë rajonin.
“Ne e pamë se ku çuan thirrjet për “de-përshkallëzimin” me Putinin. Sa më gjatë të vonojnë BE-ja dhe SHBA-ja në shtyrjen e njohjes reciproke Serbi-Kosovë, aq më shumë Vuçiqi do ta destabilizojë rajonin”, ka shkruar ai.
Këtë koment, Bugajski e bëri pasi ambasadori Rohde shkroi se është “absurde të rrezikosh konfrontim të dhunshëm për targa”.
Sërish shqetësim ka shprehur edhe ambasada e Gjermanisë, sipas së cilës po vazhdon përshkallëzimi i situatës dhe raporteve Kosovë-Serbi.
“Ne e shohim me shqetësim përshkallëzimin aktual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në një përgjigje të saj për media.
Mirëpo a guxojmë të rrezikojmë ta pranojmë një marrëveshje pa njohje nga Serbia, pasi e njëjta hapë sërish probleme pas disa vitesh?