07\04\2022 22:03
Aleanca Rusi-Serbi mori një goditje diplomatike të enjten.
Beogradi zyrtar vendosi të jetë ne mesin e 93 vendeve të cilat votuan në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve te Bashkuara pro pezullimit të Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut.
Madje prezencën ruse në këtë organ për një kohë nuk e do as Hungaria, që konsiderohet një tjetër aleate e ngushtë e Moskës.
Megjithatë Rusinë nuk e tradhtoi Kina e as 23 shtete të tjera që votuan kundër pezullimit rus nga ky këshill, derisa 58 të tjera nuk dhanë asnjë mendim duke abstenuar.
Kremlini ka paralajmëruar vendet anëtare se votat për apo absetimin do ta konsiderojë gjest jomiqësor duke i kërcënuar për pasoja bilaterale.
Ky pezullim ia mohon përfaqësuesit rus të drejtën që të flas dhe të votojë në këtë këshill, ndonëse diplomatët e saj ende kanë mundësi të marrin pjesë në debate.
Kërkesës së iniciuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i janë dashur dy të tretat e shumicës dhe vendimet e tilla konsiderohen si shumë të rralla.
Libia është pezulluar më 2011 për shkak të dhunës kundër protestuesve nga forcat besnike të ish-liderit, Muammar Gaddafi.
Muajin e kaluar, ky Këshill ka nisur hetime për supozimet e lidhura me shkelje të të drejtave të njeriut, duke përfshirë krime të mundshme të luftës në Ukrainë të cilat Rusia po i quan inskenime.