
15\02\2022 19:14
Sot më 15 shkurt u shënua 52 vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Andaj për këtë përvjetor në Info Magazine foli profesori Xhafer Xhaferi, i cili u bë pjesë e UP-së shtatë vjet pas themelimit të këtij universiteti.
Xhaferi foli për të arriturat e këtij universiteti ndër vite si dhe për vështirësitë në të cilat kaloi.
“Nga 1977 kam fillu në Fakultetin Teknik, në lëndën Sociologji, pastaj në Fakultetin e Bujqësisë e pastaj në Filiologjik. Vitet e 70-ta e 80-ta kanë qenë vitet e arta të universitetit. Deri në vitet ‘80-81 UP-ja kishte një zhvillim të hovshëm, u rrit numri i studentëve dhe mësimdhënësve, ishte periudhë kur kishim bashkëpunim të mirë edhe me Universitetin e Tiranës”, ka thënë Xhaferi për Info Magazine.
“Periudha 10-vjeçare prej themelimit ka qenë e përcjellë me mungesë të kuadrit mësimor, por me një angazhim itë madh të atij kuadri, ishte periudhë kur edhe studentët angazhoheshin dhe dalloheshin me angazhimet e tyre.. ishte faza më frytdhënëse”, shtoi ai.
Xhaferi tha se serbët Universitetin e Prishtinës e shihnin si ‘halë në sy’, pasi sipas tij ky universitet krijoi mundësi shkollimi jo vetëm për shqiptarët e Kosovës por edhe për ata në vendet fqinje.
“Nacionalistët serbë universitetin e shihnin si halë në sy, i pengonte sepse universiteti krijoi mundësi të mëdha të shkollimit dhe jo vetëm për Kosovën por edhe Maqedoninë, Malin e Zi, pra ishte bërë çerdhe e arsimimit”, theksoi ai.
Sipas Xhaferit me shuarjen e antonimisë së Kosovës u krijuan rrethana të një dhune të paparë.
“Në vitin 1991 u vendosën masa të dhunshme në UP nga ana e kuvendit të Serbisë, edhe pse nuk ishte themelues i UP-së, filluan protesta në filim të shtatorit bashkë me shoqatën e arsimtarëve të Kosovës, kah mesi i shtatorit dy protesta kanë qenë me përmasa të mëdha para Fakultetit të Filologjisë, në tetor u organizuan protesta në nivele të ndryshme, vazhdoi përjashtimi i kuadrit universitar, pastaj u mor vendim të zhvillohej mësimi në shtëpi private, u thirr kuvendi i universitetit, dhe në nëntor të këtij viti u zgjodh rektori i ri dhe filloi periudha e mbajtjes së mësimit në shtëpi, kah shkurti”, tha ai.
Mbajtja e mësimit nëpër shtëpi sipas Xhaferit kishte vazhduar deri në vitin 1998.
Ai tha se Universiteti i Prishtinës duhet të pavarësohet nga politika dhe të krijojë kushte më të mira të zhvillimit të kuadrove të reja.
“Pati një periudhë kur universiteti mbeti në një situatë sikur ngeci, pati ndikime politike pas luftës, ai duhet t’i kthehet vetës të jetë e pavarur nga politika, t’i kthehet funksionit, të zhvillohet tutje, të krijojë kushte më të mira të zhvillimit të kuadrove të reja”, përfundoi ai.