News That Matters

118 vjet nga vdekja e Sami Frashërit

18/06/2022. 12:17

Sot janë bërë 118 vjet që nga vdekja e intelektualit Sami Frashëri.

Ai ka lindur më 1 qershor të vitit 1850 në Frashër dhe ka vdekur më 18 qershor të vitit 1904 në Stamboll.

Ka qenë nëpunës dhe intelektual shqiptar i Perandorisë Osmane, gjuhëtar, leksikograf, enciklopedist, romancier, dramaturg, përkthyes dhe ideologu themelor i Rilindjes Kombëtare, së bashku me dy vëllezërit e tij Abdylin dhe Naimin.

Nisi veprimtarinë e tij kulturore me përkthime, vepra autoriale, themelim i të përkohshmeve dhe drejtimin e një kolane botimesh.

Veprimtaria e tij u shtri në gjuhën turke osmane dhe atë amtare, duke lënë kontribut themeltar për të dyja.

Turqishtes i hartoi përmbledhjet e para leksikografike, enciklopeditë, romane dhe drama, shtroi çështje për reformimin e gjuhës turke osmane, por gjithashtu në hapësirën shprehëse të saj loboi për identitetin, problematikat dhe çështjen shqiptare.

Është autor i të parit roman të gjuhës turke “Dashuria e Talatit me Fitneten”, e botuar në vitin 1872.

Veprimtaria e tij në gjuhën shqipe përmbledhet tek disa tekste mësimore, përpilimin e një gramatike dhe hartimin e alfabetit të Stambollit që u njoh edhe me emrin e tij, si dhe me traktatin “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” që u bë manifesti politik i Lëvizjes Kombëtare.

div.meta-author { display:none; }