
28/09/2021 16:45
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se sot Ministri Hekuran Murati ka nënshkruar vendimin për mbështetjen e familjeve që kanë humbur familjarin nga COVID-19.
Sipas njoftimit të MFPT-së, secilës familje që ka humbur familjarin si pasojë e infektimit me COVID-19 do t’i ofrohet mbështetje financiare në vlerë prej 1,500 Euro.
“ Sidoqoftë, duke konsideruar që stafi mjekësor në sektorin publik ka bartur barrën kryesore në ruajtjen e shëndetit publik, dhe gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kanë qenë drejtpërdrejtë të rrezikuar nga virusi COVID-19, familjet e tyre do të kenë një mbështetje të veçantë”, thuhet në njoftim.
Aplikimi do të bëhet në mënyrë elektronike, në vegëzën në vijim https://masa3-1.rks-gov.net, dhe do të jetë i hapur deri më datë 30 Nëntor 2021. Aplikimet trajtohen në baza javore, sipas radhës së aplikimit.
“Dokumentet e nevojshme për aplikimin elektronik janë: certifikata e regjistrit civil përmes së cilës vërtetohet lidhja familjare e aplikuesit me të vdekurin dhe kopja/fotografia e faqes së pasme të letërnjoftimit të aplikuesit”, ka njoftuar Ministria.