
03/11/2021 13:13
Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS)në gjykimin ndaj Salih Mustafës. Trupi gjykues i ka treguar dëshmitarit disa fotografi në të cilët ai ka thënë se “Cali” është i vetmi person që njeh. Seanca gjyqësore ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka vijuar e mbyllur në pjesën më të madhe të kohës derisa dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues të kryesuar nga Mappie Veldt-Foglia.
Dëshmitari i pestë i mbrojtur i ZPS-së ka thënë se gjatë luftës nuk e ka ditur që “Skifterët” ndryshe janë quajtur edhe BIA, por sipas tij, këtë e ka mësuar pas luftës.
Në pjesë të tjera, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun.
Dëshmitari i gjashtë do të dëgjohet të mërkurën më 10 nëntor.
Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar pesë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.
Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.