
21/04/2022. 15:39
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, bashkë me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, nënshkruan marrëveshjen që përcakton kornizat e bashkëpunimit institucional mes MMPHI-së dhe UP-së.
Kjo marrëveshje, sipas Aliut, u nënshkrua për fushat e interesit të përbashkët, në pajtim me kompetencat ligjore të tyre, për hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve dhe studimeve të përbashkëta, organizimin dhe realizmin e forumeve profesionale, harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojat e tregut të punës, funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesional e shkencore si dhe ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët e UP-së.
“Kjo marrëveshje e bashkëpunimit është reflektim i zotimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për të forcuar bashkëpunimin me Universitetin e Prishtinës, me qëllim të realizimit të objektivave të marrëveshjes, në mënyrë që të jetësohet kjo praktikë në aktivitetet e përditshme të MMPHI-së dhe UP-së”, ka shkruar Aliu.
Kujtjomë se dje, i pari i MMPHI-së nënshkroi një marrëveshje të ngjashme edhe me një kolegj privat, në të cilin vetë Aliu është në marrëdhënie pune me të, gjë e cila ngjalli reagime për konflikt të mundshëm interesi.
Por, menjëherë pas reagimeve, ishte Aliu ai i cili tha se marrëveshja e nënshkruar sot me UP-në ishte e paraparë që të nënshkruhej dje, por një gjë e tillë nuk qe e mundur për dje, andaj u shty për sot.
” Në asnjë mënyrë, qasja jonë nuk është selektuese e as diskriminuese apo favorizuese, por në përputhje me të mirën publike dhe me strategjinë e Ministrisë, në interes të projekteve zhvillimore të cilat i kemi në plan t’i realizojmë”, shkroi Aliu.